zoom

In Zoom

Shkarkimi i Gledis Nanos, prova se policia mbetet strukturë e Rilindjes

Gledis Nano nuk lë pas ndonjë trashëgimi për sa kohë qëndroi në krye të policisë së shtetit, që kur u emërua në tetor të vitit 2021.

Ai nuk arriti të lërë gjurmën e tij në luftën kundër krimit, në atë kundër korrupsionit, në atë të spastrimit të radhëve të policisë nga elementët e inkriminuar.

Nën drejtimin e tij policia nuk mundi të tregojë se është e aftë për ta goditur krimin në në zemrën e tij, duke luftuar grupet më të rrezikshme kriminale apo duke këputur fijet e tij me politikën.

Vrasjet e bujshme si ajo e Fushë – Krujës apo skandali i vrasjes së vajzës së mitur në plazhin e Potamit nga një Komisar policie me gomone, do të mbahen mend si ngjarjet që ndodhën në kohën kur ai ishte në krye të policisë.

Por a i shte ai fajtor për situatën kritike në policinë e shtetit?

Për sa kohë qëndroi në atë detyrë Gledis Nano zbatoi vetëm urdhëra politikë. Ai vuri firmën në emërime drejtorësh, nëndrejtorësh e shefa komisariatesh të diktuar nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi. Ai nuk i ushtroi dot kompetencat e tij për të vënë në drejtim të sektorëve kyçë profesionistë të policisë.

Ai qëndroi në atë detyrë derisa nuk mundi më të zbatonte porositë partiake që vinin papushim në telefonin e tij.

Blendi Çuçi tha sot se ai u shkarkua për shkak se nuk arriti objektivat. Zoom.al mëson se ai ka dhënë dorëheqjen, sepse marrëdhënia e tij me ministrin dhe kryeministrin u kris kur ngjarja e Potamit i shkaktoi shumë kosto politike Edi Ramës.

Një oficer policie në majë të një gomonie luksoze, me pasuri të shumta në bregdet, që vret një fëmijë teksa lahet me babain e saj në plazh, erdhi si një bombë mbi çatinë e kullës së propagandës që ka ndërtuar qeveria për sigurinë dhe për “policinë që duam”.

Por a ishte kjo ngjarje apo vrasjet si ajo e Fushë – Krujës arsye për ta shkarkuar? Ato edhe mund të përdoreshin për ta justifikuar shkarkimin. Por precedentët tregojnë se kjo është një sjellje me dy standarde.

Për shembull, paraardhësi i tij, Ardi Veliu, nuk u shkarkua nga detyra kur polici i forcave “Shqiponja” Nevaldo Hajdaraj vrau 25 -vjeçarin Klodian Rasha vetëm pse kishte thyer orën policore.

Ai nuk u largua as kur kjo vrasje prodhoi protesta të dhunshme të të rinjve në Tiranë. Në vend të tij iku ministri i Brendshëm i kohës, Sandër Lleshaj.

Ardi Veliu nuk u largua as kur në Elbasan, në kulmin e fushatës zgjedhore armët plasën në mes të qytetit dhe në prani të dhjetërave forcave të policisë, teksa plumbat e Arbër Paplekës vranë Pjerin Xhuvanin.

Ai nuk u largua as kur në Elbasan, Vlorë, Durrës, Tiranë, Fushë – Krujë, Shkodër, Lezhë atentatet me bomba të telekomanduara e armë të rënda vijuan të përgjakin rrugët.

Ai nuk u largua as kur derdhi me tonelata gaz lotsjellës ndaj qytetarëve dhe mbështetësve të opozitës që protestuan për muaj me radhë në rrugët e Tiranës, aq kur policët e tij ngritën shkopin e gomës ndaj drejtuesve të opozitës.

Arsyeja përse Ardi Veliu nuk u largua ishte se ai zbatoi çdo udhër partiak që mbërriti në celularin e tij deri ditën kur do të duhej të largohej me shpresën për t’i ofruar policisë një imazh të ri.

Aq shërbëtor që ai, saqë Rama e emëroi zëvendësministër të Belinda Ballukut, në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Me Gledis Nanon policia nuk qe ndryshe nga ajo që kemi parë me Ardi Veliun. Nano nuk arriti të ndryshonte asgjë. Ai thjesht e la policinë ashtu siç e gjeti, një strukturë në vartësi e në shërbim të Rilindjes. /Zoom.al