Aplikacion
EGNATIA – “Përballemi me një skuadër që ka bërë mirë. Edhe më përpara ka qenë me kontigjentë lojtarësh cilësorë. Çdo skuadër ka objektivat e veta, dhe gjatë rrugës objektivat ndryshojnë. Më parë objektivi i tyre ishte mbijetesa, tani mbase synimi i tyre është shmangia e zonës që mund t’i dërgojë në play-out. Mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë sepse do të luajmë në fushën e tyre. Do të përballemi me një skuadër që është për t’u respektuar dhe ne do të japim maksimumin”.
MOTIVIMI – “Këto dy javët e fundit është prezente vështirësia e karikimit të skuadrës. Distanca është relativisht e madhe me ndjekësit tanë. Gara tani është me veten tonë në këto momente dhe duhet të jemi sa më shumë kërkues, që të shfaqim më të mirën tonë. Kundërshtari ka cilësi dhe ne duhet të jemi me përqendrim maksimal”.
MINUTAZHI I LOJTARËVE – “Të gjithë lojtarët që janë në organikën tonë kanë pasur minuta. Është normale që në kampionat, jo të gjithë të kenë minutazhin e plotë. Një pjesë kanë minuta më shumë dhe do të vazhdojmë që të fusim lojtarët me eksperiencë, por edhe elementin e ri duke mos prishur strukturën. Lojtarët e ri shprehen më mirë dhe e kanë më të thjeshtë për t’u ingranuar me skuadrën për të qenë më kompetitiv. Nesër mendoj se do të hedh formacionin më të mirë të mundshëm”.
PUNA E ZHVILLUAR – “Kemi bërë një kampionat të mirë, kemi qenë gjithmonë në vazhdimësi. Mendoj se në futboll, pjesa më e rëndësishme është vazhdimësia dhe skuadra në çdo fazë është shfaqur mirë. Ky është fryt i punës së madhe që është bërë. Jemi të kënaqur me këtë ecuri, por duhet të përmirësohemi edhe më shumë sepse ka vend për përmirësim. Të kemi një fytyrë. Të jemi gjithmonë ai ekip që kemi qenë”.