zoom

Bota

SHBA/ Kërcënohen me bombë anëtarët e kabinetit të Donald Trump

Disa nga të emëruarit e kabinetit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump u vunë në shënjestër të “kërcënimeve të dhunshme”, mes të tjerash edhe kërcënime me bombë, tha të mërkurën një zëdhënëse e presidentit të ardhshëm amerikan.

Kërcënimet u bënë mbrëmjen e së martës dhe mëngjesin e së mërkurës. Organet e zbatimit të ligjit vepruan me shpejtësi për të garantuar sigurinë e individëve të vënë në shënjestër, tha përmes një deklarate zëdhënësja Karoline Leavitt.

Ajo nuk dha detaje se kush ishte kërcënuar dhe nuk foli mbi natyrën e kërcënimeve në fjalë. Deri në publikimin e lajmit, Byroja Federale e Hetimeve dhe Departamenti i Drejtësisë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Zëdhënësja Leavitt tha se ndër kërcënimet në fjalë ishin edhe njoftimet e rreme tek organet e rendit për një krim në një adresë të caktuar, me qëllim nxitjen e një reagimi të ashpër dhe të armatosur të organeve të rendit ndaj shtëpisë së një individi të caktuar./ Zëri i Amerikës