Aplikacion
Avionët e ushtrisë amerikane janë përdorur në të kaluarën për të bërë transportin e individëve nga një shtet në një shtet tjetër, sikur ndodhi gjatë tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga Afganistani në vitin 2021.
Por kjo është hera e parë brenda një periudhe kohore që mbahet mend që Shtetet e Bashkuara përdorin avionë ushtarakë për të transportuar imigrantë jashtë Shteteve të Bashkuara, sipas një zyrtari.
Në ditën e parë të mandatit të tij, Presidenti Trump e shpalli imigrimin e jashtëligjshëm emergjencë kombëtare, duke autorizuar ushtrinë amerikane që të ndihmojë me çështje e sigurisë së kufirit, duke nënshkruar një ndalesë gjithëpërfshirëse për azil dhe duke ndërmarrë veprime për të kufizuar dhënien e shtetësisë për fëmijët e lindur në tokën amerikane.
Urdhri i tij ekzekutiv i nënshkruar me 20 janar udhëzoi Pentagonin të dërgojë sa më shumë forca që të jetë e nevojshme për të siguruar “kontrollin e plotë operativ në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara”.
“Fluturimet për dëbim kanë filluar”, shkroi të premten në platformën X zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Të premten, dy avion ushtarakë amerikanë, secili me nga 80 imigrantë, fluturuan nga Shtetet e Bashkuara drejt Guatemalës, i tha agjencisë Reuters një zyrtar.
Pentagoni njoftoi se ushtria amerikane do të kryejë fluturime për dëbimin e mbi 5 mijë imigrantëve që mbahen nga autoritetet amerikane në El Paso, Teksas dhe në San Diego të Kalifornisë.
Në fillim të kësaj jave, administrata e Presidentit Trump tha se ushtria amerikane do të dërgojë edhe 1,500 ushtarë amerikanë në kufirin me Meksikën.
Zyrtarët amerikanë i thanë agjencisë ‘Reuters’ se ushtria po bën përgatitjet për të dërguar një valë të dytë të trupave në kufi me Meksikën në fillim të javës së ardhshme, të cilët ka mundësi që të përfshijnë në radhët e tyre pjesëtarët e divizionit ajror të 82-të. Zyrtari tha se ekziston mundësia që të dërgohen me mijëra trupa shtesë, por vendimi zyrtar nuk është marrë ende.
Pjesëtarët e divizionit ajror të 82-të zakonisht përgatiten për t’u dislokuar brenda një kohe të shkurtë për t’iu përgjigjur krizave nëpër botë, kryesisht në zona konflikti dhe jo në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën.
Agjencia Reuters njoftoi në fillim të javës se si pjesë e bisedimeve jozyrtare janë diskutuar plane për të dislokuar deri në 10 mijë forcave ushtarake brenda një periudhe kohore, ndonëse një shifër përfundimtare ende nuk është përcaktuar dhe numri i trupave varet nga disa faktorë, përfshirë ndikimin që një hap i tillë do të kishte mbi gatishmërinë ushtarake.
Gjatë mandatit të tij të parë, Presidenti republikan Trump urdhëroi 5,200 trupa për të siguruar kufirin me Meksikën. Ish Presidenti demokrat Joe Biden po ashtu dislokoi ushtarë në kufi.
Bastisje në Nju Xhersi në kërkim të imigrantëve të paligjshëm
Ndërkohë në qytetin Njuark, në Nju Xhersi, agjentët amerikanë të imigracionit kapën imigrantë pa dokumente si dhe shtetas amerikanë gjatë një bastisje të zhvilluar të enjten në një vend pune, që sipas kryebashkiakut të qytetit përfshiu arrestimin e një veterani të ushtrisë dhe shkeljen e të drejtave të personave të përfshirë.
Bastisja në qytetin më të dendur të Nju Xhersit, që në të kaluarën ishte vlerësuar nga kryebashkiaku Ras Baraka si qytet që mbron imigrantët, vjen pas zotimit të Presidentit Donald Trump për të dëbuar miliona imigrantë, që qëndrojnë në mënyrë të jashtëligjshme në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Trump nënshkroi një mori urdhrash ekzekutivë me të filluar mandatin e tij të hënën, që kanë për qëllim t’i japin goditje imigrimit të jashtëligjshëm. Ai tha se janë ndërmarrë hapa për të dënuar zyrtarët që i rezistojnë zbatimit të këtyre masave.
Në bastisjen në Njuark, në afërsi të Nju Jorkut, forcat e Agjencisë federale për Zbatimin e Ligjit për Imigracion, ICE, nuk paraqitën urdhër gjykate për bastisjen, ndërkohë që arrestuan “banorët pa dokumente, mes tyre edhe shtetas”, tha kryebashkiaku Baraka përmes një deklarate.
“Njëri nga të arrestuarit është veteran i ushtrisë amerikane, i cili përjetoi sjellje të pakëndshme kur dokumentacioni i tij ushtarak u vu në pikëpyetje”, tha zoti Baraka.
Në një deklaratë, zëdhënësi i agjencisë ICE tha se agjentët “mund të kenë hasur në shtetas amerikanë, ndërsa po kryenin punën e tyre në terren dhe mund të kenë kërkuar dokumente identifikimi për të vërtetuar identitetin e individit, siç ishte rasti gjatë operacionit për zbatimin e ligjit në një vend pune në Njuark gjatë ditës së sotme”.
Zëdhënësi shtoi se ICE po e heton incidentin.
Kryebashkiaku Baraka tha se bastisja e së enjtes shkeli të drejtat e banorëve, të garantuara nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara.
“Njuark nuk do të qëndrojë duarkryq ndërkohë që njerëzit terrorizohen në kundërshtim me ligjin”, tha ai.
ICE dhe zoti Baraka nuk e kanë bërë të ditur emrin e kompanisë që u bastis.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt shkroi në platformën X se administrata e Presidentit Trump arrestoi 538 persona të enjten, duke i përshkruar të gjithë si “kriminelë imigrantë të paligjshëm”. Ajo tha se mes tyre ishin pjesëtarë të një bande burgu të Venezuelës dhe të dënuar për përdhunime.
Zëdhënësja Leavitt nuk dha detaje tjera.
Një sërë studimesh nga organizata hulumtuese tregojnë se imigrantët nuk kryejnë më shumë krime se amerikanët e lindur këtu. Studime të tjera tregojnë po ashtu se numri i krimeve të kryera nga imigrantët e jashtëligjshëm në Shtetet e Bashkuara nuk është i një niveli më të lartë.
Qytetet që zbatojnë politikat për të mbrojtur imigrantët
Kryebashkiaku i qytetit Njuark, Baraka është zyrtari i parë i nivelit lokal në Shtetet e Bashkuara që bën një deklaratë për median rreth një bastisje që kur zoti Trump filloi goditjen ndaj imigracionit.
Sipas të dhënave të vitit 2020, nga rreth 11 milionë imigrantë të paligjshëm që mendohet se janë në Shtetet e Bashkuara, rreth 44 për qind të tyre jetojnë në shtete që zbatojnë ligje që kufizojnë bashkëpunimin me autoritetet federale të imigracionit.
Mediat amerikane njoftuan se agjentët e agjencisë ICE arrestuan rreth 500 imigrantë pa dokumente që kërkohen për krime të kryera në qytetet që zbatojnë politikat që mbrojnë imigrantët, përfshirë disa në Nju Jork dhe Nju Xhersi. Ato citojnë zyrtarët të thonë se arrestimet u kryen të martën dhe të mërkurën. Voa/