zoom

Aktualitet

Sërish miliona për ndriçimin e Kalasë së Lezhës

100 -vjetori i Pavarësisë e pa kalanë e Lezhës të ndriçuar si asnjëherë më parë. Ajo u bë pjesë e një projekti të Fondit Shqiptar të Zhvillimit bashkë me kalanë e Krujës, Elbasanit, Beratit, Kaninës, Gjirokastrës, Shkodrës, Prezës e Petrelës.

Por një pjesë e këtyre kalave panë vetëm pak vite dritë. Në Lezhë ndriçimi rezistoi vetëm dy vjet. Dëmtimi i rrjetit elektrik dhe vjedhja graduale e prozhektorëve dhe ndriçuesve të tjerë ia fikën shkëlqimin sërish.

Nga investimi i FSHZH mbetën vetëm disa tela të varur mureve, që të jepnin përshtypjen së ajo kishte dalë nga një tjetër betejë.

FSHZH ka planifikuar të investojë sërish dhe jo pak. Kalaja e Lezhës është bërë pjesë e një projekti prej mbi 1 milionë eurosh.

Projekti parashikon “ndërhyrje në zona historike për forcimin e potecialit turistik, kala, ura, qendra historike, pazare, fasada, etj (rajoni 1 dhe 2) – Restaurimi i urës së mesit, Ndriçimi kalave Durrës, Lezhë dhe Itenerari Kulturor Gjurmët Fishtiane”.

Në tender morën pjesë 10 kompani. Fitues u shpall “ALB TIEFBAU SHPK”, me administrator Flamur Hoxha, me zyra qëndrore në Lagjen Qemal Stafa, pallati Fishta 2 në Shkodër.

Kalaja e Lezhës pret afro 2 mijë vizitorë në vit dhe projekti i ndriçimit synon të nxisë më shumë interesin e turistëve, vendas e të huaj, nëse edhe ky investim nuk do të shkatërrohet si ai i pari i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. /Zoom.al