Aplikacion
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Albin Kurti i cili publikoi edhe pamjet nga vija kufitare e Kosovës në komunën e Kamenicës. Në foto duken tanket dhe forca të shtuara të ushtrisë serbe jo më larg se 50 metra nga vija ndarëse mes dy vendeve.
Kryeministri tha se ushtria serbe u pikas nga institucionet përkatëse të sigurisë.
“Këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, kanë për synim nxitjen e tensioneve. Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre.” tha Kurti.
Në reagimin e tij Kurti tha gjithashtu qeveria e Kosovës ka investuar në ngritjen e kapaciteteve dhe është e gatshme për të parandaluar çdo kërcënim.
“Sinergjia ndërmjet strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe bashkëpunimi me partnerët e aleatët rajonalë dhe ndërkombëtarë, përbën garanci për sigurinë në Kosovë. Ndërkohë, Serbia vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit, megjithëse hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës.”- deklaroi kryeministri.
Lidhur me denoncimin e kryeministrit Kurti deri më tani nuk ka patur asnjë reagim nga faktori ndërkombëtar I cili vazhdimisht i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të rikthehen në dialog dhe të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve.
Ky postim i Kurtit vjen pak javë pas shënimit të përvjetorit të parë të sulmit në Banjskë të Zveçanit ku pati përplasje mes policisë së Kosovës dhe personave të armatosur nga Serbia e si pasojë mbeti i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre sulmues serb.
EMRAT/ Kush ishin dy shënjestrat e atentatit në Berat, ikën me vrap për të shpëtuar nga plumbat