zoom

Bota

Sekretari i OKB: Lufta bërthamore është e mundur

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ka deklaruar se lufta bërthamore është e mundur tashmë, pasi Rusia u dha urdhra të rinj forcave të saj bërthamore, ndërsa lufta kundër Ukrainës vijon prej ditësh.

“Ngritja e alarmit të forcave bërthamore ruse është një zhvillim rrëqethës. Perspektiva e konfliktit bërthamor, dikur e paimagjinueshme, tani është kthyer në fushën e mundësisë”, tha Guterres.

Ai shtoi më tej se është koha që të ndalet tmerri i luftës mbi popullin e Ukrainës.

“Është koha për të ndaluar tmerrin e lëshuar mbi popullin e Ukrainës dhe për të hyrë në rrugën e diplomacisë dhe paqes”.

Disa ditë pasi forcat ruse pushtuan Ukrainën në fund të shkurtit, presidenti Vladimir Putin urdhëroi forcat parandaluese bërthamore të vendit të tij që të jenë në gatishmëri të lartë. Putini fajësoi për veprimin e tij NATO-n dhe sanksionet ekonomike të vendosura nga vendet perëndimore.