zoom

Ekonomi

Sejko takim me FMN-në: Lufta na prek te çmimet, parashikimet e zymta

Pushtimi rus i Ukrainës dhe ndikimi i tij në ekonominë shqiptare ishin në fokus të takimit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Sejko tha se po planifikohet një ndërhyrje në politikën monetare dhe fiskale për të përballuar situatën.

“Kemi një stabilitet makroekonomik, rezerva të mjaftueshme financiare por edhe një sistem financiar mjaft solid. Me politikën monetare do të reagojmë, njëkohësisht edhe me politikën fiskale për të zbutur maksimalisht ndikimin e goditjes së inflacionit nga tregjet ndërkombëtare.”

Për çmimet ai shprehet se parashikimet janë ende të zymta.

“Askush nuk parashikon dot saktë në këtë situatë konflikti ekzaktësisht si do të jetë. Për momentin ne jemi në këtë parashikim, që në vitin 2023 do të ketë një stabilizim të inflacionit dhe çmimeve.”

Sipas tij Banka ka parashikuar edhe skenarët më të këqinj nga kriza ekonomike, që mund të ishte një ulje ekonomike me -2% dhe rritje inflacioni.

Sejko theksoi se sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm, me tregues që evidentojnë një ambient financiar të gatshëm për të mbështetur më tej zhvillimin ekonomik të vendit. Së fundi, ai shtoi se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar.

Përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan se situata aktuale e konfliktit të armatosur është komplekse. Megjithatë, ata ndanë vlerësimin mbi ekspozimin e ulët direkt të ekonomisë shqiptare, si dhe rezistencën e saj ndaj ndikimit ekonomik e financiar të konfliktit, nëse ky i fundit mbetet në dimensionet aktuale.

Në vijim, ata shtuan se konflikti aktual në Ukrainë dhe sanksionet e vëna ndaj Rusisë shtojnë elementet e pasigurisë mbi pasojat indirekte, pasi tregjet botërore janë shfaqur volatile gjatë ditëve të fundit.

Në përfundim të diskutimeve u theksua rëndësia e monitorimit të vazhdueshëm të situatës, si dhe koordinimi i politikave nga autoritetet shqiptare duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur.