zoom

Ekonomi

Sejko pranon humbjen e 150 mln eurove në Bankën e Shqipërisë: Ndodhi nga kursi i këmbimit

Ishte radha e Bankës së Shqipërisë për të raportuar sot në komisionin e Ekonomisë për bilancin e vitit 2022, kur sistemi bankar u përball me luhatje të forta, por rezultoi i qëndrueshëm dhe likuid.

Guvernatori Gent Sejko, përballë deputetëve tha se nëse BSH do të ishte treguar më agresive me normën e interesit, sistemi financiar do të ishte shkatërruar. Nga ana tjetër ai tha se pa rritjen e normës së interesit, inflacioni do të ishte 6% më i lartë.

Përtej bilanceve se çfarë ndodhi në 2022-shin, Sejko dha detaje edhe për disa ndryshime të pritshme në këtë sektor në dy vitet e ardhshme.

Fillimisht Guvernatori tha se do të ndryshojë ligji për Bankat dhe se po rishikohet në konsulencë me Bankën Botërore. Por Sejko tha se është një ligj që mund të kërkojë 2 deri në 3 vjet kohë punë.

Në vitin 2024, Guvernatori tha se do të hyjë në fuqi rregullorja për Open Banking, që do t’i lejojë institucioneve financiare dhe teknologjike, Fintech, të kenë akses në të dhënat bankare në kohë reale.

Pyetur për përgjegjësinë e BSH-së në luhatjet e kursit të këmbimit, Sejko tha se ai është regjim i lirë.

“Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë me euro, se më pyesin shpesh. Unë mund të kem pritshmëri sipas logjikës ekonomike, por zakonisht, kursi i këmbimit e hedh poshtë atë. Kursin e vendos tregu dhe nëse Banka ndërhyn, e hedh në erë ekonominë. Euro u zhvlerësua nga oferta e lartë, por nga ana tjetër ndihmoi dhe inflacionin të qëndronte poshtë”, tha Sejko duke shtuar se rezerva valutore ka humbur 150 mln euro nga kursi.

Një tjetër risi pritet të jetë rregullorja për pagesat që do të përjashtojë nga komisionet dhe tarifat shtesë çdo klient nga shtresat në nevojë.

Guvernatori shpjegoi në komision nëse Banka e Shqipërisë do të ndjekë hapat e bankës Europiane dhe asaj Britanike, për të krijuar një kriptomonedhë, CBDC (central bank digjital currency) duke thënë se ne jemi ende me ekonomi të paformalizuar.

“Ne duhet të modernizojmë pagesat fillimisht dhe transfertat elektronike. Duhet të formalizojmë ekonominë, të krijojmë themelet dhe më pas të mendojmë për kriptomonedhat. Kemi halle shumë të mëdha. Nuk mund të mendojmë për raketën kur jemi ende ke karroca, e nuk kemi as makinë. Jemi shumë larg!”, u shpreh drejtuesi i BSH-së.

Sejko foli për rreziqet reale të ekonomisë së Shqipërisë duke rendituar inflacionin të parin dhe më pas emigracionin.

Ai tha se ndonëse normat e interesit u rritën kreditimi vazhdoi me ritme pozitive.

“Vëllimi i kredisë për sektorin privat u rrit mesatarisht me 12.3% në vitin 2022, ndërkohë që cilësia e portofolit të kredisë mbetet e mirë dhe treguesi i kredive me probleme qëndron rreth niveleve më të ulëta të dekadës së fundit. Qëndrueshmëria financiare e sektorit bankar dhe qasja pozitive e tij ndaj kreditimit krijojnë premisa për mbështetjen e mëtejshme me fonde të ekonomisë.”

Sipas tij, qëndrueshmëria financiare e sektorit bankar dhe qasja pozitive e tij ndaj kreditimit krijojnë premisa për mbështetjen e mëtejshme me fonde të ekonomisë. Edhe pse në prani të goditjeve të huaja dhe të shtrëngimit të kushteve të financimit, ekonomia shqiptare ruajti tendencën rritëse, si në terma të prodhimit dhe në terma të punësimit e pagave.

“Kështu, rritja ekonomike e vitit 2022 ishte relativisht e lartë, rreth nivelit 4.8%, duke vijuar rimëkëmbjen pas goditjes së pandemisë. Rritja ekonomike vijoi të ketë një shpërndarje të mirë sektoriale dhe u mbështet nga zgjerimi i konsumit, i investimeve dhe i eksporteve shqiptare. Paralelisht me të, përmirësim i dukshëm u shënua edhe në tregun e punës. Punësimi u rrit me 4.2%, norma e papunësisë ra në 10.8% dhe rritja e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore tregoi se një numër gjithnjë e më i madh shqiptarësh janë të punësuar. Vrojtimet tona të besimit tregojnë se bizneset kanë një kërkesë të lartë për punë, ndërkohë që mungesa e fuqisë punëtore vijon të jetë një faktor pengues për rritjen e aktivitetit të tyre. Të gjitha këto elemente të tregut të punës kanë gjetur pasqyrim në rritjen dinamike të pagave. Në veçanti, pagat në sektorin privat u rritën mesatarisht me 12.2% gjatë vitit 2022,” tha Guvernatori.