zoom

Ekonomi

Sejko: Kreditë e MicroCredit do t’i kalojnë bankave nga ku u blenë fillimisht

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë raportimit të tij në komisionin e Ekonomisë foli edhe për skandalin e mikrokredive.

Sejko deklaroi se kreditë e kompanisë Micro Credit Albania, që janë kredi performuese, do të kthehen sërish tek bankat, ku u morrën fillimisht këto kredi.

“Kemi pasur dhe kredi performuese. Ka patur një numër të madh kredish performuese. Ato kredi, që janë performuese do të bisedojmë me bankat t’i kthejmë në sistemin bankar. Kjo është e pakonfirmuar ende, por do të bisedojmë me bankat dhe besoj se do ta kryejmë. Kurse rastet e tjera të kredive problematike, që janë në ndjekje, do t’i zgjidhim me likuidatorin” deklaroi Sejko në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.

Pas revokimit të licencës MCA dhe Final, Banka e Shqipërisë ka bllokuar llogaritë e këtyre dy subjekteve që të mos tërheqin para. Ndërkohë, pas këtyre hapave si MCA ashtu dhe Final do të çohen në likuidim.

“Do të komunikojmë me ministrinë e Drejtësisë për të caktuar likuidator për secilën nga dy kompanitë. Sigurisht që i gjithë ky proces do të mbikqyret nga Banka e Shqipërisë, pra ne do të jemi aty gjithë kohën. Por e rëndësishme është të theksohet se që nga ky moment nuk do të ketë më qasje përfituese, por do të ketë një qasje ndihmuese ndaj debitorëve,” tha Sejko.

Guvernatori ripërsëriti kërkesën e tij ndaj deputetëve që të kalojnë një sërë ndryshimesh ligjore, nga përmbarimi tek tavanet e normave të interesit si dhe Kodin Civil, që këto situata të mos ndodhin më herë tjetër.