zoom

Aktualitet

Seanca ndaj Dritan Dajtit mbahet me videokonferencë, Burgu i Peqinit: S’i llogarisim dot ditët…!

Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan është zhvilluar sot seanca ndaj Dritan Dajtit, i cili kërkon verifikimin e përfundimit të dënimit me 25 vite burg të pretenduar, për vrasjen e 4 agjentëve të Antidrogës më 2009 në Durrës.

Në këtë seancë nuk ishte i pranishëm prokurori Neritan Hoxha, i larguar nga Vettingu, por u përfaqësua nga prokurorja Glenda Zeneli. Ndërkohë nuk është pranuar kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e trupit gjykues të kryesuar nga Magjistratja Suela Lika .

Gjatë seancës, përfaqësuesja e zyrës juridike të IEVP Peqin ka raportuar në Gjykatë për kohën e vuajtjes së dënimit nga Dritan Dajti. Më herët ishin shprehur se nuk garantonin dot sigurinë e transportit, nga frika e një arratisjeje të mundshme, pasi Dajti është arratisur edhe më parë nga Gjykata. seanca u mbajt me videokonferencë.

“I kemi dërguar shkresë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë për të na ndihmuar për përllogaritjen e kohës së dënimit, pasi kanë ndryshuar disa vendime dhe për ne është bërë e vështirë përllogaritja e saktë e përllogaritjes së viteve të dënimit”, ishte përgjigja e Burgut.

Në këto kushte, IEVP Peqin nuk ka bërë përllogaritje për Dritan Dajtin, as për periudhën e para daljes së vendimit të Gjykatës së Lartë. Dritan Dajti në reagimin e tij pyeti “si është e mundur që IEVP nuk përllogarit vitet e vuajtura”, duke shtuar se “IEVP Peqin po merr atributet për të llogaritur vendimet e gjykatave që nuk është kompetencë e saj”.

Ndërkohë që seanca e rradhës u njoftua se do të zhvillohet në 30 korrik 2024, në ora 09.00. Prokuroria pretendon se dënimi i Apelit të ish-Krimeve të Rënda u rrëzua nga Gjykata e Lartë, që njeh izolimin përjetë ndaj Dajtit, dënimi i parë i dhënë ndaj tij. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura