zoom

Politikë

“S’do presim t’u mbushet mendja”/ Rama: Pse bojkoton Kosova?

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Beogradi se nisma për Ballkanin e Hapur do të vazhdojë të implementohet, pavarësisht se 3 nga vendet e rajonit nuk i janë bashkuar.

Kryeministri tha se refuzimi i Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës vjen “për arsye të mosarsyes”. Rama tha se, kur kompanitë e Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi të shohin këtë lëvizje do të kërkojnë të bëhen pjesë e saj, përpara qeverive të tyre.

Kryeministri shtoi përpara gazetarëve se është pjesë e “Ballkanit të hapur” për interesat e Shqipërisë.

“Ballkani i Hapur nuk është për tre vende, është për 6 vende, dhe ndryshe nga procesi i Berlinit nuk merret dot peng nga asnjë vend. Nuk jemi te detyruar që të bëjmë konsensus sikur jemi një karikaturë e Këshillit Europian.Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut nuk do të p resin që të binden të tjerët. i kam dëgjuar arsyet e Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjës, por më duken “arsye të mos arsyes. Ju thatë se kjo duket sikur është për interesat ekonomike të këtyre vende, po sigurisht që për këtë jam unë këtu, për Shqipërinë, për çfarë të vij tjetër.

Në dhjetor kur ne të bëjmë takimin, dhe kur ti dorëzojmë sipërmarrësve që takuam sot, dhe kur t’i përfshijmë kompanitë që kanë lidhje tregtare në një kanal jeshil, po ju them mos u habisni që kompanitë nga Bosnja, Kosova, do vijnë të përfshihen para se të vijnë qeveritë e tyre. Mos u çudisni se kjo nuk është tekë, apo vizion haluçinant i imi apo Vuçiç, po kërkesë ulëritëse”, tha kryeministri.

Sipas kryeministrit shqiptar, procesi i Berlinit, që mbështet në fakt nga të gjitha shtetet, ka mbetur në rrugë.

“Pikërisht pse procesi i Berlinit është një proces që pasi ka vendosur një kornizë vlerash ka mbetur në rrugë nga një samit në tjetrin, në tjetrin, në tjetrin çdo vit dhe çdo vit e më qartësisht në pamundësi për të zbatuar ato që thuhen është krijuar kjo nismë, e cila nuk është asgjë tjetër veçse një njësi e zbatimit të procesit të Berlinit duke përshpejtuar dhe njëkohësisht duke monitoruar zbatimin”.

Kreu i qeverisë foli edhe për përfitimet e para të kësaj nisme, e cila sipas tij, ka rritur numrin e turistëve serbë në Shqipëri.

“Ne kemi vënë re tashmë që sezoni turistik është mbyllur që gjatë 8 muajve të fundit fluksi i turistëve në Shqipëri nga Serbia është rritur në 68%, fluksi i turistëve nga Maqedonia e Veriut është rritur 22%. Janë shifra që janë rezultat i drejtëpdrejtë në ekonomi përveçse në procesin e rritjes së energjive pozitive në rajon të Ballkanit të Hapur dhe jam i bindur se këto shifra do vijnë vetëm duke u rritur”, tha Rama.