zoom

Bota

Scholz hedh poshtë çështjen e votëbesimit: Opozita çdo dy-tri javë këtë fjalë thotë

Kancelari Olaf Scholz nuk do të përballet me votëbesimin në Bundestag (parlament) e kësisoj as nuk dëshiron zgjedhje të parakohshme. Qeveria ka shumicën për të kryer detyrat, që ka përpara, tha politikani socialdemokrat për ZDF-në. “Eshtë një idezkë e opozitës, që çdo dy tri javë e thotë këtë fjalë”, tha Scholz. Kancelari mendon, se krijimi i qeverisë në Gjermani edhe për disa kohë do të vazhdojë të mbetet i vështirë. “Nëse më lejohet të ndaj me ju se ku më dhemb: Druaj se çfarëdo që të ndodhë në vitet e ardhëshme, edhe për shumë shumë vite në Gjermani do të kemi konstelacione, në të cilat do të jetë mjaft e ndërlikuar të krijohet qeveria. “Këtë do ta shohim në federatë si edhe në lande”.

Si rrjedhojë, thekson kancelari, “do të varet, se si ne do të arrijmë bashkarisht një stil, që të qeverisin bashkë parti, të cilat në themelimin e tyre as që e kishin menduar të bashkëpunojnë, e megjithatë qeverisja të funksionojë duke pasur arritje.” Në këtë nivel koalicioni aktual ka arritur shumë.

Scholz: “Ne nuk e kemi nënvleftësuar migracionin”

Kancelari u shpreh i gatshëm për kompromise në bisedimet e reja të mundshme lidhur me temën e migracionit midis qeverisë, opozitës dhe landeve. “Ne kemi kthime në kufi, kemi kontrolle kufitare, dhe një menaxhim efikas kufiri, gjë që duam ta zgjerojmë edhe më tej edhe me mbështetjen e opozitës”, tha Scholz. Do të ketë, sipas tij, propozime të mira, “që të gjitha i përmbahen kuadrit të ligjeve europiane, marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ligjit tonë themeltar.” Scholz e hodhi poshtë energjekisht çështjen, nëse koalicioni qeverisës e ka nënvleftësuar temën e migracionit. Eshtë gabim, të krijosh përshtypjen, se qeveria po vepron pikërisht tani. “Unë kam sjellë kthesën më të madhe në raport me migracionin në historinë e 20 viteve të fundit”, tha ai. “Ne jemi kujdesur, që të vemë në jetë vendime që për dekada nuk kanë qenë të lehta për t’u zbatuar, sa ka të bëjë me çështjen e menaxhimit të migracionit të parregullt.”

Scholz: SPD është një “parti e stërvitur në beteja”

Duke iu referuar rezultatit të dobët të socialdemokratëve (SPD) në zgjedhet për parlamentet e dy landeve në fillim të shtatorit në Saksonidhe Tyringji, Scholz tha, se të tilla rezultate “nuk justifikohen”. Veçanërisht rezultati i zgjedhjeve për partinë AfD (Alternativa për Gjermaninë) është “shqetësues”. “T’i përvishemi punës, kjo është e rëndësishme”, tha Scholz. “Do të luftojmë për të arritur një mandat të fuqishëm në zgjedhjet e ardhëshme për Bundestagun”, tha Scholz. “Ne ia kemi dalë edhe herë të tjera.” Partia Socialdemokrate është një “parti e stërvitur në beteja “.

Scholz do një konferencë paqeje me Ukrainën dhe Rusinë

I pyetur për luftën sulmuese të Rusisë kundër Ukrainës, Scholz insistoi, që duhet më intensivisht se deri më sot të bëhen përpjekje për zgjidhje paqësore në luftën e Ukrainës. “Unë besoj, se tani ka ardhur momenti, kur edhe duhet të diskutojmë, se si të dalim sa më shpejt nga sa krijohet përshtypja tani prej kësaj situate lufte në një paqe”, tha politikani socialdemokrat. “Eshtë e rëndësishme, që ne të përparojmë në këtë drejtim. Në çdo rast do të ketë një tjetër konferencë paqeje”, thekson kancelari. Ai tha, se sapo ka pasur një bisedë shumë në besim me presidentin ukrainas Volodymyr Selenskyj. Të dy janë dakord, që edhe Rusia duhet të marrë pjesë në konferencën e ardhëshme për paqen.

Scholz do të vazhdojë ta ndihmojë edhe më tej Ukrainën

Scholz iu shmang pyetjes, nëse ka ende besim tek presidenti ukrainas Volodymyr Selenskyj, pasi u bë e ditur, që një ukrainas ka qenë i involvuar në sabotimin e linjës së gazsjellësit Nord-Stream në Detin Baltik. “Unë kam raport të mirë me Volodymyr Selenskyj”, tha kancelari. “Dhe njëkohësisht për mua është krejt e qartë, që kjo çështje duhet sqaruar.” Jam i kënaqur, që prokuroria e përgjithshme dhe autoritetet e sigurisë kanë avancuar me hetimet deri aty, për sa njoftohet tani. Kancelari pranoi, që rezultatet e fundit të zgjedhjeve kanë të bëjnë edhe me faktin, se “qytetaret dhe qytetarët nuk janë dakord që ne ta ndihmojmë Ukrainën”. Por ai mendon, se është e drejtë që t’i përmbahemi ndihmës./DW