zoom

Politikë

Sanksionet e Shqipërisë ndaj Rusisë, një flluckë sapuni: Të njëjtat importe si një vit më parë

Sanksionet ndaj Rusisë, propagandë Shqipëria u rreshtua mes vendeve të NATO-s që i vendosën sanksione Rusisë. Mendohej që këto sanksione do të pakësonin volumin tregtar mes dy vendeve. Por shifrat tregojnë se asgjë s’ka ndryshuar.

Instat publikoi shifrat e Tregtisë së Jashtme të Mallrave. Volumi me Rusinë është thuajse i njëjtë (shih tabelën).

 Në shkurt Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka njoftonte me bujë në rrjetet sociale paketën e sanksioneve.

Olta Xhaçka – 23 shkurt 2022: Në total, këto masa kufizuese do të zbatohen për 654 individë dhe 52 subjekte. Përveç kësaj, është vendosur edhe ndalimi i udhëtimit në territorin shqiptar për personat e listuar nga BE, ndërkohë që lidhur me politikën e vizave është në shqyrtim anulimi i politikave lehtësuese për lëvizjen e diplomatëve, zyrtarëve të tjerë rusë dhe njerëzit e biznesit.Sanksionet ekonomike përfshijnë masa kufizuese në financë, energji, transport dhe teknologji.

Në Sektorin e energjisë do të ndalohet shitja, furnizimi, transferimi ose eksportin në Rusi i mallrave dhe teknologjive specifike për rafinimin e naftës dhe do të vendosë kufizime në ofrimin e shërbimeve përkatëse.

 Në Sektorin e transportit do të ndalohet eksporti që mbulon mallrat dhe teknologjinë në industrinë e aviacionit dhe hapësirës, si dhe do të ketë një ndalim për ofrimin e shërbimeve të sigurimit dhe risigurimit dhe mirëmbajtjes në lidhje me ato mallra dhe teknologji. Do të ndalohet gjithashtu ofrimin e asistencës teknike dhe financiare përkatëse.

 Në sektorin e teknologjisë do të vendosen kufizime të mëtejshme për eksportet e mallrave dhe teknologjisë me përdorim të dyfishtë, si dhe kufizime në eksportet e mallrave dhe teknologjisë së caktuar, të cilat mund të kontribuojnë në përmirësimin teknologjik të Rusisë në sektorin e saj të mbrojtjes dhe sigurisë. Kjo do të përfshijë produkte të tilla si gjysmëpërçuesit ose teknologjitë më të fundit.

Kryeministri Edi Rama do ta përforconte më tej qëndrimin se ne do të ishim në të njëjtin hap me aleatët e NATO-s.

Edi Rama – 25 shkurt 2022: “Është e vërtetë që sanksionet e Shqipërisë ndaj Rusisë janë i-relevante në aspektin e volumit. Nuk është Shqipëria që vë sanksione ndaj Rusisë, është gjithë aleanca që bie dakord të vendosi sanksione. Shqipëria është pjesë e kësaj aleance dhe nuk ka diskutim që i përqafon të gjitha vendimet e aleancës. Të njëjtën gjë bëjnë edhe vendet të cilat janë të lidhura me aleancën, pavarësisht që nuk janë anëtare të aleancës. Siç është Kosova. Ne besojmë që nga hulumtimi që kemi bërë që nuk do të kemi efekte shumë shqetësuese”, deklaronte kryeministri.

Por se çfarë po ndodhte në të vërtetë ishte krejt ndryshe. Aq sa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ia kujtoi këtë Shqipërisë në fjalën që mbajti në parlamentin shqiptar në një video – konferencë.

Volodymyr Zelensky – 28 prill 2022: Në paketën e gjashtë të sanksioneve që po diskutohet në Bashkimin Europian, ne duhet të këmbëngulim që të përfshijë embargon e naftës. Bankat ruse duhen zhdukur përfundimisht nga sistemi financiar global. Sado e vështirë të jetë, duhet të kufizohet qëllimisht lidhja me Rusinë sepse në mos sot, atëherë nesër Rusia do përdorë lidhjet tregtare për të goditur tregun tuaj kur të dojë, kur të dëshirojë nga ju koncensione ose lidhje politike. Ju duhet t’ia hiqni këtë mundësi Rusisë në kohën e duhur. Ju kërkoj të mbyllni portat për anijet ruse, ju duhet të kufizoni ardhjen e turistëve rusë, sepse nuk mund ta dini se kush erdhi tek ju, ndoshta vrasës apo ndoshta xhelatët e Mariopulit ose ndoshta ndonjë nga ata që po punon sot për të minuar vendin tuaj.

Denoncime për anijet ruse që u shkarkuan edhe pas sanksioneve në portin e Durrësit pati edhe nga zyrtarë të tjerë ukrainas e po ashtu edhe nga një pjesë e opozitës shqiptare. Ajo që duket se ka mbetur nga premtimet për sanksione nga Ministria e Jashtme është refuzimi për t’u përballur në kompeticionet sportive.

“Po ashtu, Shqipëria nuk do të marrë më pjesë në asnjë përballje sportive me Federatën Ruse deri në dhënien fund të pushtimit të Ukrainës”, thuhej në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të 23 shkurtit. /Zoom.al