zoom

Bota

Samiti në Londër mbledh udhëheqësit evropianë dhe të NATO-s

Dhjetëra udhëheqës evropianë dhe të NATO-s, së bashku me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, u mblodhën më 2 mars në Londër, disa ditë pas vizitës katastrofike të presidentit ukrainas në Uashington.

Edhe pse Ukraina do të jetë në fokus të samitit, bisedimet pritet të përfshijnë më gjerësisht sigurinë evropiane, pasi janë rritur shqetësimet lidhur me angazhimin e Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen evropiane gjatë mandatit presidencial të Donald Trumpit.

Mikpritësi i samitit, kryeministri britanik, Keir Starmer, i ulur pranë Zelenskyt, tha se “është një moment që vjen një herë në brez për sigurinë e Evropës dhe ne të gjithë duhet të bëjmë më shumë”.

“Shpresoj që e dini se të gjithë ne jemi me ju dhe popullin e Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Të gjithë që janë në këtë tavolinë”, i tha ai udhëheqësit të Ukrainës në nisje të samitit.

“Ne kemi nevojë të pajtohemi se çfarë hapash do të dalin nga ky takim për të sjellë paqe përmes forcës, që është në të mirën e të gjithë neve”.

Para samitit, Starmer tha se shteti i tij, Franca dhe Ukraina po punojnë për një plan armëpushimi që më pas t’ia dërgojnë Shteteve të Bashkuara.

Samiti në Londër u organizua disa ditë pas vizitës katastrofike të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Uashington më herët gjatë kësaj jave.

“Mbretëria e Bashkuar së bashku me Francën, dhe ndoshta me një apo dy të tjerë, do të punojnë me Ukrainën mbi një plan për të ndalur luftimet dhe më pas ne do ta diskutojmë atë plan me SHBA-në”, tha Starmer për BBC-në, para nisjes së samitit.

Starmer po ashtu theksoi se çdo marrëveshje e paqes për Ukrainën do të kërkonte që SHBA-ja të japë garanci të sigurisë, që është një nga pikat që Zelensky dhe Trump u përplasën gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, janë në mesin e dhjetëra udhëheqësve evropianë që iu bashkuan Starmerit dhe Zelenskyt për bisedime në Londër.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, dhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, po ashtu po marrin pjesë në samitin e sigurisë.

Një ditë më herët, kryeministri britanik mirëpriti Zelenskyn në zyrën e tij dhe pas takimit u njoftua për një hua në vlerë prej 2.84 miliardë dollarësh për Ukrainën.

“Kjo hua do të rrisë kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës dhe do të rikthehet duke përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira ruse”, deklaroi Zelensky përmes rrjeteve sociale.

Kjo nuk është një shumë që ndryshon lojën, por ofron një lloj ngushëllimi për Zelenskyn, pas përplasjes së paprecedent dhe të ashpër me presidentin amerikan, Donald Trump, pas së cilës ai u largua më 28 shkurt nga Shtëpia e Bardhë më herët seç pritej dhe duarbosh.Konferenca në Londër mori një rëndësi të re që nga ky konfrontim në Zyrën Ovale dhe ringjallja e raportit mes Trumpit dhe Zelenskyt me gjasë do të jetë pikë kryesore e agjendës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, – i cili gjendet në Londër – tha se Zelensky duhet të gjejë një mënyrë për të përmirësuar raportin. Ende është e paqartë se diçka e tillë është e mundur të arrihet. Por, Trump deklaroi se Zelensky mund të kthehej “kur të dëshirojë paqe”.

Para konferencës, Starmer takoi ndarazi me kryeministren italiane, Giorgia Meloni. Ajo mund të jetë figurë e rëndësishme në përpjekjet e Evropës për të bindur Uashingtonin se ka nevojë për mbështetje të Ukrainës.

Meloni po ashtu zhvilloi një takim të ndarë edhe me Zelenskyn, ku diskutuan për “zhvillimin e një plani të përbashkët veprimi për t’i dhënë fund luftës me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha presidenti ukrainas. Ai shtoi se Ukraina ka nevojë që paqja të mbështetet nga garanci të sigurisë.

Një mbështetëse e Ukrainës, Meloni po ashtu është ideologjikisht e afërt me Trumpin dhe ai e ka lavdëruar udhëheqësen italiane.

Edhe para vizitës së Zelenskyt në Uashington, udhëheqësit evropianë kanë treguar se ka urgjencë që ata ta bëjnë veten të rëndësishëm për administratën e Trumpit.

Kjo u nxit nga deklaratat e zyrtarëve të lartë amerikanë që sugjeruan se Evropa nuk do të përfshihet drejtpërdrejtë në negociatat për paqe në Ukrainë dhe për shkak të shenjave se SHBA-ja dhe Rusia po përmirësojnë raportet.

Bisedimet e tjera paraprake të krizës janë mbajtur në Paris javën e kaluar dhe ato u përqendruan në atë nëse Evropa mund të krijojë një forcë paqeruajtëse që do të dislokohej në Ukrainë pas një marrëveshjeje armëpushimi apo të paqes, por edhe për arritjen e synimeve për të rritur shpenzimet për mbrojtjen.

Sfida e bisedimeve në Londër, pas debaklit në Shtëpinë e Bardhë, është që të arrihet diçka më e prekshme dhe më e madhe. Përveç kësaj, disa udhëheqës evropianë po shkojnë përtej asaj që vetëm të dëshmojnë vlerën e tyre për Uashingtonin. Në vend të kësaj, ata po përgatiten për skenarë të mundshme ku nuk do të mund të vareshin nga ombrella e sigurisë së SHBA-së. Rel/