zoom

Bota

Samiti i BE-së: A do ta bllokojë Hungaria ndihmën për Ukrainën?

Krerët e shteteve dhe qeverive të BE takohen në Bruksel të enjten në një samit të posaçëm për t’i dhënë dritën jeshile ndihmave për Ukrainën.

Deri më tani ato janë bllokuar nga kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Bëhet fjalë për një paketë ndihme të BE prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën për katër vitet e ardhshme. Me këtë BE kërkon të shpëtojë nga kolapsi ekonomik Ukrainën e sulmuar nga Rusia. Në dhjetor kryeministri hungarez, Viktor Orban pengoi me veton e tij një vendim të samitit të BE për ndihmat e Ukrainës.

Në samitin e së enjtes (01.02.) të 26 krerët e tjerë të shteteve dhe qeverive të BE shpresojnë që Orban të hapë rrugë. Para samitit, kancelari gjerman, Olaf Scholz është shprehur, se do të punojë shumë për të arritur një ujdi për ndihmat për Ukrainën.

Publikisht Viktor Orban ka argumentuar, se BE në vend që të dërgojë më shumë para në Ukrainë duke financuar me këtë luftën, BE duhet të angazhohet t’i japë fund asaj. Por në Bruksel dihej, se Orban i përdorte më shumë ndihmat për Ukrainën si mjet presioni.

Ai synonte të merrte paratë e bllokuara nga BE për Hungarinë. Këtë strategji madje Orban e pohoi pjesërisht. Madje me sukses. Vetëm një ditë para samitit të fundit, Komisioni Europian dha dritën jeshile për 10 miliardat për Hungarinë, fonde që ishin bllokuar për shkak të problemeve me shtetin ligjor në Hungari. Por kjo nuk i mjaftoi Orbanit, që vazhdoi të bllokojë samitin në dhjetor.

Vetëm për të marrë Ukraina dritën jeshile për çeljen e negociatave me BE, Orban jodrejtpërdrejt lëshoi pe në samitin e dhjetorit. Ishte një truk diplomatik. Viktor Orban u largua në momentin e votimit nga salla. Kancelari gjerman atëherë pranoi, se kjo masë vlen vetëm për momente të caktuara, dhe nuk është procedurë standarde e BE.

Kushti i ri i Viktor Orban për ndihmat për Ukrainën

Por për 50 miliardat për Ukrainën nuk mjafton një manovër e tillë. Për këtë nevojiten të 27 vendet anëtare të BE që të jenë të gatshme për ofrimin e tyre. Nëse Orban i qëndron bllokadës, ka dy mundësi. 26 vendet anëtare të BE vendosin për të ofruar ndihmat për Ukrainën, por në një procedurë të komplikuar jashtë buxhetit të BE. Një procedurë e tillë do të merrte shumë kohë. Mënyra tjetër: Të 26 vendet anëtare pranojnë kushtin e ri të Orbanit. Sipas kryeministrit hungarez, ndihmat për Ukrainën mund të jepen, por për to duhet vendosur çdo vit. Kjo do t’i mundësonte Orbanit të vendoste veton çdo vit, kur të flitej për to. Ka edhe një mënyrë të fundit, masa më ekstreme për të mënjanuar bllokadën e Orbanit për ndihmat. Të 26 vendet anëtare të BE do t’i hiqnin Hungarisë në një reast të tillë të drejtën e votës, një shfuqizim i tillë në nivel të BE do të bëhej për herë të parë në historinë e unionit. Por shumë vende e shohin me skepticizëm një hap të tillë.

Gjermania kërkon më shumë ndihma nga vendet e BE për Ukrainën

Kancelari gjerman, Olaf Scholz në këtë samit pritet të kërkojë nga partnerët e tjerë në BE të rrisin ndihmat e tyre ushtarake për Ukrainën. Para samitit Scholz ka theksuar se vendet europiane duhet të forcojnë përpjekjet e tyre, dhe se nuk mund të varet gjithçka vetëm nga Gjermania.

“Nëse ne do të ishim ata që duhet ta bëjmë këtë kryesisht, nuk do të ishte mirë për Ukrainën.” Gjermania i ka premtuar Kievit për këtë vit rreth 7 miliardë euro ndihma, dhe sipas Scholz Gjermania ndodhet në krye të listës së ndihmave ushtarake në BE. Tre ekonomitë më të fuqishmë të BE pas Gjermanisë, Franca, Italia Spanja janë më të rezervuara në drejtim të ndihmave ushtarake për Ukrainën.

Të treja të marra së bashku arrijnë vetëm një pjesë të vogël të ndihmës ushtarake krahasuar me Gjermaninë. Sipas Institutit të Kielit për Ekonominë botërore ifw, Gjermania që nga fillimi i luftës në shkurt 2022 i ka ofruar Ukrainës ndihma në vlerë prej 17,1 miliardë euro. Shumë më mbrapa qëndron Spanja me më pak se 1 miliardë euro, (0,9), Italia me 0,7 miliardë dhe Franca me 0,5 miliardë euro. /DW/

Postime të lidhura