zoom

Politikë

Samiti i Ballkanit Perëndimor në Tiranë/ Zaev: Me treg të përbashkët krijojmë vende të reja pune

Ditën e sotme në Tiranë zhvillohet Samiti i Ballkanit Perëndimor, që mbledh në kryeqytetin shqiptar drejtuesit më të lartë të Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës. Shqipëria është mikpritësja e samitit të radhës i cili zhvillohet në Pallatin e Brigadave. Samiti drejtohet nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Mediat maqedonase kanë zbardhur fjalën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë.

Fjala e Zaev:

“Plani ekonomik dhe investues i BE-së për Ballkanin Perëndimor e mbështet rimëkëmbjen afatgjate ekonomike të rajonit, njëkohësisht duke nxitur integrimin rajonal. Zbatimi i Planit do të stimulojë aktivitetin ekonomik, do të rris investimet në sektorin privat dhe publik, do të përforcojë konkurrencën dhe inovacionet, veçanërisht në kompanitë e vogla dhe të mesme.

Vullneti ynë është nxitja e zhvillimit të kapaciteteve me energji të ripërtërishme dhe kalim nga qymyri në burime të ripërtërishme të energjisë, rritje të efikasitetit energjetik, ulje të emetimeve të gazeve serrë dhe përmirësimin e infrastrukturës për menaxhim me ujërat e zeza. Gjatë këtyre periudhave sfiduese, të gjitha vendet nga rajoni punojnë në vendosjen e tregut të përbashkët rajonal.

Harmonizimi i ngushtë i rregulloreve të Ballkanit Perëndimor me parimet themelore që rregullojnë tregun e brendshëm të BE-së, bazuar në qasjen e katër lirive përmes marrëveshjeve për njohje reciproke, do të zhvillojë mundësitë për punësim sepse liberalizimi i tregtisë, rrjedha e kapitalit dhe lëvizshmërisë do të sjellin deri në zgjerimin e tregut. Plani ekonomik dhe investues do ta bëjë rajonin më tërheqës për investitorët e huaj dhe do të mundësojë më shumë të hyra të investimeve.

Me zbatimin e Tregut të përbashkët rajonal krijojmë vende më të mira të punës, zgjedhje të shkëlqyer të çmimeve më të ulëta për udhëtim, studim dhe punë afariste në rajon, më lehtë dhe pa pengesa. Me treg të integruar sjellim rritje plotësuese të PBB-së në rajon sepse bashkë jemi më të fortë, gjë që e bën Ballkanin Perëndimor më tërheqës, më konkurrues dhe më afër tregjeve të BE-së”, tha Zaev.