Aplikacion
Safe Journalist iu referohet dy rasteve: sulmit të kryeministrit Edi Rama ndaj BIRN dhe sulmit të një faqeje ndaj gazetares Glidona Daci.
Si akte të dënueshme, Safe Journalist bëri thirrje që të respektohen gazetarët e pavarur dhe të ndalen sulmet ndaj tyre.
Reagimi i plotë:
Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësimin e tij për rritjen e armiqësisë ndaj gazetarëve të pavarur dhe profesionistëve të medias në Shqipëri, duke përfshirë sulmet verbale dhe retorikën anti-media nga zyrtarë të lartë, fushatat denigruese dhe ngacmimet mizogjene online që kanë si objektiv gazetaret gra.
Më 11 shkurt 2025, kryeministri Edi Rama Rama e quajti BIRN Albania si një frëngji – një çarje e ngushtë në muret e kalasë që përdoret për të gjuajtur armë – duke e inkuadruar median jo si një ent të pavarur gazetaresk, por si një agresor selektiv dhe të synuar. Ky sulm, i ndjekur nga retorika e mëtejshme kundër medias më 12 shkurt, u përpoq të diskreditonte gazetarinë investigative dhe të minonte rolin e medias si një shtyllë e llogaridhënies demokratike duke iu referuar atyre si një “këneta politiko-mediatike” ose “gjykata tregu mesjetar” ose si “kuakuakuatë e kënetës politiko-mediatike“. Në mënyrë të ngjashme, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pas arrestimit të tij për akuzën e korrupsionit, ndërmori sulme degraduese dhe nxitëse ndaj gazetarëve që mbulonin këtë çështje, duke i cilësuar ata si “qenëri” dhe duke i cilësuar mediat si “kanale gjirizi”.
Më 17 shkurt 2025, gazetarja Glidona Daci u bë objektivi i një fushate denigruese mizogjene dhe shpifëse. Ajo u sulmua në postime anonime në rrjetet sociale online, të mbushura me insinuata seksiste dhe akuza të fabrikuara, me qëllim diskreditimin e saj si profesionalisht ashtu edhe personalisht.
Rrjeti SafeJournalists vëren gjithashtu se, në një peizazh mediatik të polarizuar politikisht, gazetarët që mbulojnë çështjet e korrupsionit dhe drejtësisë po përballen gjithnjë e më shumë me sulme verbale, frikësim dhe ngacmime online. Media të pavarura, si Faktoje, janë vënë në shënjestër të fushatave denigruese, duke u portretizuar si instrumente të ndikimit të huaj. Këto sulme vijnë nga media të ndryshme, figura publike dhe platforma online.
Këto sulme të vazhdueshme përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe llogaridhënies demokratike në Shqipëri. Shënjestrimi i gazetarëve, qoftë përmes retorikës nxitëse, ngacmimeve online apo presionit institucional, minon vlerat themelore demokratike, dobëson besimin e publikut te gazetaria dhe krijon një atmosferë frike dhe autocensure.
Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që të ndalojnë organizimin e fushatave dhe sulmeve të tilla ndaj gazetarëve, të dënojnë ata që i kryejnë dhe të lejojnë gazetarët të bëjnë punën e tyre. Gjithashtu, u kërkojmë liderëve politikë dhe zyrtarëve publikë të respektojnë rolin e gazetarisë së pavarur si një mekanizëm thelbësor të kontrollit të pushtetit dhe të angazhohen me median në një mënyrë që respekton parimet demokratike.
Rejeti SafeJournalists mbetet i përkushtuar në monitorimin dhe dokumentimin e kërcënimeve kundër lirisë së medias dhe do të vazhdojë të raportojë për këto zhvillime alarmante. Ne qëndrojmë në solidaritet me gazetarët e pavarur në Shqipëri dhe në mbarë rajonin, të cilët vazhdojnë punën e tyre jetike pavarësisht armiqësisë dhe rrezikut në rritje.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët e interesuara përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 21 shkurt 2025
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të BH
Shoqata e Gazetarëve Kroatë
Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi