zoom

In Zoom

Ruspat e qeverisë në bizneset e mediave që dalin nga rreshti

Ruspat e IKMT u shfaqën që pa gdhirë në restortin “Prestige”, në plazhin e Golemit, në pronësi të biznesmenit Irfan Hysenbelliu, pronar i televizionit News24, gazetës Panorama e portalit Balkanweb.

Ruspat dhe matrapikët nisën të godasin dy pishina që, sipas IKMT, janë të ndërtuara pa leje, ndërsa turistët e sezonit të vonë u zgjuan të befasuar nga ajo që po shihnin: makineri të rënda që lëviznin në mes të pishinës duke goditur muret e tyre prej betoni.

Zhurma në mediat e Hysenbelliut i zgjoi edhe qytetarët e tjerë me këtë panoramë.

Çfarë po ndodhte?

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit sqaroi me një deklaratë se po vazhdonte aksionin që kishte lënë në mes në nisje të sezonit turistik, për të prishur ndërtimet pa leje. “Prestige” kishte dy pishina pa leje, sipas IKMT.

Por mediat e Hysenbelliut, dhjetëra deputetë të opozitës, gazetarë e zëra të tjerë e quajtën një sulm ndaj media së lirë.

SULM NDAJ MEDIAS APO PALIGJSHMËRISË?

Mes pretendimeve të njërës palë dhe tjetrës, ajo që po ndodh duhet parë në fokusin e marrëdhënieve të pushtetit me një media që kohët e fundit i ka krijuar jo pak kokëçarje një qeverie që mediat i ka vënë në rresht me mekanizma të ndryshëm.

Nëse pishinat ishin ndërtuar pa leje, përse IKMT e lejoi ndërtimin e tyre? Përse nuk i bllokoi që në nisje? Përse nuk i çoi për ndjekje penale përgjegjësit, siç dërgon për një avlli qytetarët e thjeshtë apo siç dërgoi në gjykatë artistin Bojken Lako për një dritare?

Ndërtimi i një objekti të tillë nuk mund të bëhet brenda një nate. Procesi kërkon javë e muaj dhe IKMT mund të kishte ndërhyrë në kohë për ta ndaluar pa u bërë investimi. Por në atë kohë mediat e Hysenbelliut i bënin fresk pushtetit dhe Edi Rama rrinte vetë nën freskun e pishave të “Prestige Resort”.

Mediat e Hysenbelliut, nën kompaninë “Focus Group” kanë nisur prej disa kohësh një fushatë denoncimesh për korrupsion, nepotizëm e shkelje të ligjit në Tatime e Dogana. Doganat kanë reaguar duke thënë se Hysenbelliu është acaruar pasi është gjobitur te Birra Tirana, ku ai është pronar. Edi Rama u ka bërë jehonë disa herë deklaratave të Doganave.

Në këtë kontekst, fadromat në “Prestige” resort duket si lëvizja e radhës e një pale në konflikt me një palë tjetër.

Konflikti duket aq i ashpër, saqë gjithçka po bëhet pa paralajmërim. Fadromat e pushtetit mbërritën në resort pa asnjë njoftim paraprak, siç do të duhej të ndodhte sipas ligjit.

Nëse do të ishte aksion ndaj paligjshmërisë, qeveria e Edi Ramës do të duhet ta kishte nisur atë nga plazhi i Jalit. Në media, në IKMT, në polici dhe deri në celularin e tij kanë mbërritur me dhjetëra denoncime për kodrat që po rrafshon felini i tij, Alban Xhillari, për të hedhur beton, pa leje.

VIDEO/ Ja si po i shkatërron Alban Xhillari kodrat e plazhit të Jalit

Nëse do të ishte për paligjshmërinë, fadromat duhet e IKMT do të duhet të punonin non-stop për disa ditë me radhë për të rrafshuar disa kulla të larta që po ndërtohen në mes të Tiranës pa leje.

Ndaj ajo që po ndodh nuk është “punë e përditshme e një IKMT-je që vepron në mënyrë selektive, me urdhëra politikë.

Fadromat në “Prestige” resort janë një demonstrim force ndaj një media që ka dalë nga rreshti, ndoshta edhe për qëllime personale dhe për t’iu kthyer misionit të saj në shërbim të publikut, por që tani nuk po i shërben më pushtetit. Ato janë një paralajmërim për çdo media tjetër që nuk i bindet pushtetit gati absolut të një qeverie që kontrollon gjithçka.

Fadromat në dyert e bizneseve janë po ashtu edhe një kujtesë për të gjithë pronarët e mediave: Mos harroni kë keni përballë. Radha mund të jetë e secilit prej jush, nëse nuk nënshtroheni sa duhet dhe si duhet! Sa më shpejt të dilni nga radha, aq më pak do të humbisni! /Zoom.al