zoom

Ekonomi

“Rrokullisja” e euros/ Sejko jep sinjale për ndërhyrjen në tregun valutor

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sërish sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3%. Guvernatori, Gent Sejko, tha se faktorët përcaktues në vendimin për të mos rritur normat e interesat janë ngadalësimi i inflacionit, forcimi i lekut në kursin e këmbimit dhe natyra shtrënguese e politikës fiskale.

“Këshilli Mbikëqyrës vëren se kjo vendimmarrje u mbështet nga ecuria pozitive e zhvillimeve të pritura ekonomike në skenarin bazë, nga balanca më neutrale e rrezikut, si dhe nga forcimi i kursit të këmbimit dhe përshpejtimi i trendit të konsolidimit fiskal gjatë gjysmës së parë të vitit.

Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend. Në këtë kontekst, ai thekson se mbetet i gatshëm të vazhdojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, nëse kjo masë do të konsiderohet e nevojshme për garantimin e stabilitetit të çmimeve,” tha Guvernatori.

Ai theksoi edhe njëherë se forcimi i lekut në kursin e këmbimit këtë vit është rezultat i faktorëve strukturorë dhe i përmirësimit të Bilancit të Pagesave. Sejko nënvizoi se forcimi i Lekut i ka mundësuar ekonomisë shqiptare inflacion më të ulët, norma më të ulëta interesi, vijueshmëri të kreditimit të ekonomisë dhe norma më të larta të rritjes ekonomike krahasuar me shumicën e vendeve të rajonit.

Megjithatë, ai tha se luhatjet e kursit të këmbimit sidomos pas muajit korrik janë bërë më të forta, duke sinjalizuar mundësinë e ekizstencës së çrregullimeve në tregun valutor. Në rast se këto luhatje do të vazhdojnë, Banka e Shqipërisë mund të konsiderojë ndërhyrje të përkohshme për stabilizimin e tregut ose rritje të blerjeve të planifikuara të Euros për nevojat e rezervës valutore. Sipas tij, deri tani gjatë vitit 2023, Banka e Shqipërisë ka blerë 170 milionë euro në tregun e brendshëm valutor, kryesisht nëpërmjet ankandeve të planifikuara për rritjen e rezervës.

“Këshilli Mbikëqyrës vëren se është duke ndjekur më vëmendje ecurinë e kursit të këmbimit. Analizat tona sugjerojnë se kahu forcues i kursit të këmbimit është në linjë me përmirësimin e bilancit të shkëmbimeve ekonomike e financiare me jashtë, të ndikuara nga rritja e shpejtë e të ardhurave nga turizmi, nga reduktimi i vazhdueshëm i deficitit të llogarisë korrente, si dhe nga vlerat e larta të investimeve të huaja direkte. Këshilli gjykon se forcimi i kursit të këmbimit i ka mundësuar ekonomisë shqiptare të ketë – në mënyrë të njëkohshme – një nga nivelet më të ulëta të inflacionit, të normave të interesit e të kostove të financimit, si dhe një nga nivelet më të larta të rritjes ekonomike në rajon. I parë në këtë prizëm, në përputhje edhe me përfitimet që ofron një regjim i lirë i kursit të këmbimit, kahu forcues i kursit të këmbimit ka ndihmuar në reduktimin e presioneve të huaja inflacioniste dhe ka mundësuar një normalizim më të ngadaltë të qëndrimit të politikës monetare. Megjithatë, shpejtësia e forcimit të kursit mbetet e lartë dhe luhatjet në tregun valutor janë rritur. Këshilli Mbikëqyrës thekson Banka e Shqipërisë mbetet e vëmendshme ndaj shpejtësisë së forcimit dhe luhatjeve të shtuara të kursit të këmbimit gjatë muajve të fundit. Nëse zgjerohen më tej, këto fenomene mund të dëmtojnë funksionimin normal të tregut valutor, si dhe – potencialisht – objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetin financiar. Nëse do të konstatohen këto premisa, Banka e Shqipërisë rezervon të drejtën të ndërhyjë në tregun e brendshëm valutor, në përmbushje të mandatit të saj ligjor,” thuhet në deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës.

Kursi i këmbimit Euro-Lek shfaqi një rënie të përshpejtuar gjatë muajit korrik, duke kulmuar me një minimum të ri historik prej 100.49 lekësh më datë 20 korrik. Ndërkohë, në dy javët e fundit, kursi po alternon ngritje dhe ulje të forta në harkun e pak ditëve, që mund të jenë sinjal i një mosfunksionimi të mirë të tregut dhe i pranisë së mundshme edhe të sjelljeve spekulative./ Monitor