zoom

In Zoom

Rritje e ndjeshme e numrit të pasagjerëve në Aeroportin e Tiranës. A duhet rinegociuar kontrata?

5 milionë e 200 mijë pasagjerë udhëtuan në vitin 2022 në Aeroportin e Tiranës (Rinas), duke gjeneruar të ardhura jashtë parashikimeve për kompaninë koncesionare.

Sipas kontratës së nënshkruar me Ministrinë e Infratrukturës dhe të miratuar në parlament, “Kastrati Group” merr 10 euro për çdo pasagjer mbi 12 vjeç që kalon nëpërmjet Rinasit. Në këtë mënyrë, vetëm vitin e shkuar, koncesionari ka fituar afro 50 milionë euro nga kjo taksë. Nëse do të përllogarim tarifat e tjera aeroportuale që paguajnë kompanitë që operojnë në Rinas, fitimi është edhe më i lartë.

Këtë vit numri i pasagjerëve pritet të rritet dhe mund të arrijë dyfishin me ardhjen e komapanisë tjetër low cost “RayanAir”. Kështu koncesionari mund t’i dyfishojë të ardhurat, për të arritur në 100 milionë euro vetëm në 1 vit.

Të tilla shifra janë ndihmëse për ekonominë, por në anën tjetër ky fitim e bën të padiskutueshme nevojën që autoritetet të rishikojnë kontratën me koncesionarin.

Kur marrëveshja u miratua në fillim të vitit 2021, ajo kishte në thelb zgjatjen e koncesionit me 13 vjet të tjera nga 7 që kishin mbetur, me qëllimin e vetëm që t’i jepej mundësia kompanisë “Kastrati Group” që të kryente 100 milionë euro investime.

Sipas ekspertëve të qeverisë, kompanisë do t’i duheshin 20 vjet që ky investim t’i kthehej pas, bashkë me normën e fitimit.

Por vetëm me fitimet e vitit të kaluar dhe me fitimin e parashikuar të këtij viti, kompania e ka nxjerrë investimin prej 100 milionë eurosh nga shfrytëzimi vetëm për 3 vjet i Aeroportit të Tiranës. Deri tani koncesionari ka kryer vetëm 25 milionë euro investime, ndonëse në kontratë parashikohet se investimi prej 100 milionë eurosh duhet të realizohet brenda 3 viteve të para.

Nëse fluksi i pasagjerëve do të ndjekë këtë trend, koncesionari parashikohet të fitojë mes 1 dhe 2 miliardë eurosh në 20 vjet.

Duke parë që kthimi i investimit është realizuar në një kohë kaq të shpejtë, rishikimi i kontratës është një domosdoshmëri, me qëllim që shteti të rrisë fitimet edhe për arkën e vet.

Ky vit, që shënon afatin e përfundimit të investimit, duket koha e duhur për rinegocim të kontratës./Zoom.al