zoom

Lajme

Rriten tensionet te Bashkia, këshilltarët e opozitës tentojnë të çajnë kordonin policor (FOTOT)

Rriten tensionet në protestën para institucionit të Bashkisë së Tiranës. Pas fruta-perimeve dhe molotovit, nisin konfrontimet dhe përpjekjet e tubuesve e këshilltarëve për të hyrë brenda me forcë e çarë kordonin e policisë.

Këshilltarët e opozitës në bashkinë e Tiranës nuk po lejohen të futen brenda ambienteve, duke i kërkuar shpjegim edhe drejtorit të policisë së kryeqytetit, Tonin Vocaj.

Situata para bashkisë është shumë e tensionuar, pasi edhe qytetarët të mbështetur edhe nga opozita, kanë tentuar që të thyejnë barrierat prej hekuri të vendosura para bashkisë.

“Bashkia e Tiranës sot është e rrethuar nga zinxhirët e korrupsionit. Nuk po na lejohet që të futemi. I bëj thirrje drejtorit të policisë së Tiranës të na bëjë me dije pse nuk po na lejon të futemi brenda. Jemi këshilltare të zgjedhur”, tha Dorian Teliti.

Ai tha se kriminelët janë brenda, qytetarët ngelen jashtë. “Kjo nuk është polici e shtetit, por policia e pushtetit. Mbrojtët shembejen e teatit, apo dhe inceneratorin e Tiranës, gjëra që mund të ndodhin në vendet e botës së tretë. Të zgjedhurit vendorë përballen sot me policinë, sikur të jemi ne kriminelët. Kriminelët janë brenda! Këto janë qytetarët. Pse nuk na lejoni që të futemi brenda!”, tha Teliti.

Kurse këshilltari tjetër i opozitës në Bashkinë e Tiranës, Tedi Blushi, njëkohësisht sekretar i PL, ka tentuar të çajë kordonin e policisë. Ai ka kërkuar që të futet brenda bashkisë, pasi po pengohen që në mënyrë të paligjshme të ushtrojnë detyrën.

Tedi Blushi së bashku me këshilltarë të tjerë opozitarë kanë kërkuar që të mos provokohen. Më herët gjatë protestës është hedhur edhe molotov e flakadanë. /ZOOM.AL/