Aplikacion
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi, ka folur në mbledhje e Konferencës së Kryetarëve për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar me fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri. Çuçi iu përgjigj shqetësimeve të deputetëve të opozitës, Flutura Açka e Jorida Tabaku.
“Duke iu referuar marrëveshjes me SHBA, të cilës iu referuar zonja Tabaku, ne nuk kemi detyrime, por marrim iniciativa dhe e sjellim në Parlament që të bëhet gjithëpërfshirëse. Fakti që jemi vonë nuk duhet të na bëjë të vonojmë më tepër. Objekti i këtij Komisioni të Posaçëm do të hyjë të paktën në termat e 4 komisioneve të tjera parlamentare( Komisioni i Jashtëm, Ligjet, Siguria Kombëtare dhe Edukimit).
Me afat 1-vjeçar, sepse fusha e veprimit të këtij komisioni është shumë e gjerë. Ekzaktësisht ky komision do të marrë në shqyrtim edhe zbatimin e ligjit të AMA që përmendi zonja Açka. Komisioni i Posaçëm i PE ka zgjatur më shumë se dy vjet dhe është marrë me të gjitha ndërhyrjet në shtetet e BE”, deklaroi Çuçi.
Në fund u miratua ngritja e komisionit vetëm me votat e mazhorancës ndërsa opozita kërkoi më tepër kohë.
Kurse kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi kërkoi shtyrjen e çështjes për ngritjen e komisionit për Dezinformimin, pasi sipas tij ajo nuk duhet të trajtohet si temë për konsum ditor.
“Kjo çështje është sensitive dhe duhet të trajtohet me kujdes të veçantë. Ne bashkëndajmë shqetësimin për ndërhyrjet e e shteteve të treta jo partnere nëpërmjet të gjitha formave. Mirëpo, do duhet që ju të qartësoni iniciativën, të informoni ne dhe gjithë publiku mbi çfarë do të bëjë dhe për çfarë po kërkohet.
Flisni për marrëveshje ndërkombëtare, marrëveshje me SHBA, dhe ne nuk dimë asgjë për atë marrëveshje pasi nuk na e keni vënë në dispozicion, edhe pse Kushtetuta e detyron qeverinë të na vendos në dijeni. Këto çështje që pretendohen të trajtohen në ketë komision të posaçëm mund të trajtohen fare mire ne komisionet respektive, Komisionin e Medias apo Komisionin e Sigurisë. Pse nuk mund të trajtohen aty?
Do duhet të hiqet çdo dileme për ndërhyrje në lirinë e medias. Nëse nuk është ky qëllimi i fshehur, duhet të marrin kohën e nevojshme dhe mos e trajtojmë si një temë për konsum ditor. Ka një Rezolutë të Kuvendit në 2019, e miratuat dhe e harruat. E trajtuat si temë dite dhe aq. Aty përcaktohet detyrimi që institucionet e sigurisë të sjellin raport në Kuvend, gjë që nuk e kanë bërë. Duhet të konsultohemi me shoqatat e medias, që qartësohet objekti dhe motivet, çfarë do të trajtojë dhe pse duhet”, tha ai. /ZOOM.AL/