zoom

Aktualitet

Rrëmbimi i 3 policëve, Kurti: Veprimi i Serbisë ishte agresion! Kemi rritur gatishmërinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se ka rritur nivelin e gatishmërisë dhe ka rritur kontrollin kufitar pas rrëmbimit të 3 efektivëve të policisë nga forcat serbe.

“Rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit, hakmarrje ndaj policisë që po e lufton krimin dhe intencë për eskalim e destabilizim në kohën kur ne kemi propozuar planin për depërshkallëzim. Për këto arsye, institucionet tona të rendit e të sigurisë e kanë rritur nivelin e gatishmërisë.

Cenimi i kufirit dje nga Serbia na detyron ta rrisim kontrollin kufitar, ku varësisht nga analizat e institucioneve të sigurisë mund të përfshijnë edhe ndalesat e qarkullimit në rastet kur vlerësohet se mund të përbëjnë rrezik apo s’mund të garantohet siguria”, tha Vuçiç në një konferencë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Kryeministri Kurti u shpreh se policët e rrëmbyer kanë qenë brenda territorit të Kosovës.

Ai theksoi se në vendngjarje janë gjetur lidhëse plastike të duarve dhe gjurmë të çizmeve të huaja në drejtim të Serbisë.

“Në vendin e ngjarjes, kanë qenë KFOR-i e Policia e Kosovës. Aty janë gjetur gjurmët e çizmeve të huaja e në drejtim të Serbisë. Por, janë gjetur edhe prangat lidhëse të plastikës. Pra, si është e mundur që ata pretendojnë se janë arrestuar në Serbi, kur lidhëset e plastikës si pranga janë gjetur në vendin ku po themi ne, 1 kilometër brenda territorit të Kosovës”, tha Kurti.

Ai theksoi se ka kërkuar informacione nga KFOR lidhur me situatën, por shtoi se nuk ka marrë asnjë informacion prej tyre.

“Ne me partnerët i ndajmë informatat, por heshtja e tyre besoj që nuk i kontribuon hetimit e drejtësisë. Nuk ka kuptim që për një ngjarje në territorin e Kosovës, pasi dihet që është shtet me sipërfaqe të vogël, as të nesërmen të mos kemi deklaratë zyrtare. Është komandanti i përgjithshëm i KFOR që për çdo deklaratë e përmend rezolutën 1244. Ne si institucione të Kosovës e cilësojmë Kushtetutën si e drejtë dhe përgjegjësia jonë.

Mbrëmë kam pasur bisedë telefonike, me Escobar dhe ambasadorin Hovenier, dhe u kam thënë që pres që KFOR të më sjellë informacion para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, mirëpo, asnjë informacion. Serbia thotë që ka arrestuar policët dhe është e qartë se nuk bëhet fjalë për diçka të tillë. Ky është cënim i sovranitetit dhe akt i agresionit. Do i takoj edhe sot dhe në të njëjtën kohë jemi në kontakt me drejtuesin e zyrës ndërmjetëse të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Kurti.

Related Posts

None found