zoom

Lajme

Rrëfimi i pazakontë i Noizy-t që ngriti rrjetin në këmbë

Noizy, i ftuar në podkastin “Zë me Mirën”, ka rrëfyer sigurisht detaje mbi karrierën e tij, ku ka thënë gjëra që ndoshta jo të gjithë i prisnim.

Ndër të tjera, ai tregoi se ka edhe tekste kot, pa pikën e lidhjes, të cilat çuditërisht bëhen hit, sidomos në verë.

“Janë nja 5-6 këngë në albumin tim që me të vërtet çdo prind do të thoshte që Noizy të bëjë vetëm si këto këngë. A më beson që ato janë këngët më pak të dëgjuara? Njeriu është i çuditshëm. Këngët që kam hit, këngët verore, janë ato që unë kam më pak qejf. Të ta shpjegoj pse i kam më pak qejf: Teksti është kot, nuk ka asnjë lloj përmbatje, është palidhje, nuk ka asnjë mesazh, asnjë lloj domethënie. Ka ca rima koti, por është ajo që njerëzit duan të dëgjojnë në club, kur pi alkool…detyrohem të bëj këngë që unë personalisht nuk i kam qejf”, tregoi Noizy, duke shtuar se në disco nuk mund të bëjë këngë për tema sociale.

Ai tregoi se tanimë muzika ‘old school’ po dëgjohet sërish në të gjithë botën, pasi muzika e re nuk është aq e bukur. Ai u shpreh se është shumë i lumtur që i ka kapur të dyja etapat, pra ‘muzikën e vjetër’ dhe atë ‘modernen’.

Noizy tha edhe se si reper nuk është më i miri, por punon më shumë se të gjithë.

“Si repist nuk jam më i miri, por jam më i suksesshmi. Punoj më shumë se të gjithë, kam bërë këngë më shumë se të gjithë; kam bërë lëvizjet e duhura, më mirë se të gjithë. Shumë repera nuk kanë studiot e veta. Frymëzimi të vjen në çdo lloj momenti dhe kur të vjen duhet të marrësh në telefon studiot. Unë frymëzohem, shkoj hap studion dhe shkruaj direkt. Kam investuar te vetja gjërat që të duhen më së shumti për të ushqyer zjarrin tënd. Studio është e para, më pas, disiplina, e cila për mua është çelësi i suksesit”, tha reperi, duke theksuar se disiplina e tij qëndron te stërvitja e trupit.

“Unë jam artist dhe jetoj si sportist dhe ky është çelësi i suksesit tim”, tregoi Noizy, duke treguar se ka pasur momente kur ka abuzuar, por jo me ‘substancat e rënda’.

“Njerëzit presin që të kesh jetën e Noizy-t do të thotë t’i kesh bërë të gjitha dhe unë i kam bërë të gjitha, por me balancë. I penduar të nesërmen ose me mendimin që s’mund ta bëj rrugë këtë”, u shpreh Noizy, duke treguar se nuk do t’i zhgënjejë njerëzit dhe shumëkush nuk e di se ai është tip i turpshëm.