zoom

Aktualitet

Rrëfimi i ndjerë i gazetarit/ Kushtet skandaloze të spitalit në ditët e fundit të nënës

Gazetari i kronikës së zezë, Jul Kasapi ka bërë një reagim të gjatë një vit pas ndarjes nga jeta të nënës së tij.

Kasapi ka treguar në detaje, 48 e orët e fundit të jetës së nënës së ndjerë në ambjentet e spitalit “Shefqet ndroqi” ose siç quhet ndryshe Senatoriumi.

Përveç kushteve skandaloze të spitalit të cilat janë “normale” në Shqipëri, gazetari tregon se si i gjithë stafi nga mjekët deri tek shefat e pavioneve kërkojnë një mik të fortë apo një dorë të mirë parash për të bërë punën e tyre sipas protokolleve.

Reagimi i plotë i Jul Kasapit

Dy fjalë për “Senatoriumin”

Nëna ime në ditët e fundit të saj qëndroi 2 ditë në spitalin “Shefqet Ndroqi”. E diagnostikuar me kancer në mushkëri jeta e saj u “zgjat” falë një operacioni në Itali për 4 vite por momentet e fundit të saj atëherë kur nevojitet përkujdesja e një spitali që i “thënshin spital” atëherë nuk e mori. Telefonata e të afërmve të mi pasi kisha mbërritur në Shqipëri nga Izraeli për të raportuar mbi luftën në Lindjen e Mesme më gjeti krejt të papërgatitur. Që në nisje isha në mëdyshje por gazetaria ndonjëherë të mban peng. Peng i një gazetarie pa vlera në Shqipëri që në fund të ditës dëgjon dhe fjali të tipit “ Hë më sikur ça bëre” Por përtej kësaj fjalie, përtej gazetarisë, telefonata e të afërmëve të mi se nëna kishte pësuar trombozë pulmonare ishte fillimi i një kalvari historish të dëgjuara në spitalet shqiptare por të pa përjetuara. Ditë e dielë si pak ditë më parë teksa në Tiranë manifestohej maratona!! E urrej maratonën për të vetmen arsye sepse koha kaq e shtrenjtë për një jetë njeriu bën që për shkak të “maratonës” të vonohet një ambulancë, një ndihmë apo dhe sekondat të humbasin për shkak të atyre që vrapojnë në një kohë që për ata që duan të mbijetojnë të jenë sekonda,orë e ditë më pak. Në spitalin Shefqet Ndroqi, urgjenca, ndonëse inekzistente bën me aq sa mundet. Mjekët dhe mjekja e turnit stablizuan nënën time por historia nuk mbaron me kaq. Oksigjeni i cili duhet të jetë një shërbim për spitalin e Senatoriumit jo vetëm që nuk është në gjendje por nuk mjafton nga kati përdhe ku ndodhet urgjenca për në katet e mësipërme. Ndonëse e dhimbshme edhe pse sipas çdo protokolli duhej të qëndronte në Reanimacion ajo që ndodhi më pas është histori shqiptarësh të zakonshëm që nuk gjejnë jo vetëm ilaçe por e drejta e tyre në spitalet Shqiptare thjesht nuk ekziston. Biseda ime me drejtoreshën e spitalit ishte e shkurtër teksa ju prezantova dhe i kërkova shqip që ditët e fundit të nënës sime të ishin në një dhomë pa pacientë të tjerë për shkak të gjendjes së saj. Unë, nëna ime dhe vëllai im ishim dëshmitarë se si jo vetëm që një dhomë nuk u gjend por edhe si si në spitalin Shefqet Ndroqi të lenë dhe korridoreve pa përkujdesje!! Teksa dhomë nuk gjendej drejtoresha tha se duhet të qëndrojë në një dhomë me 12 pacientë të tjerë. Veç 12 pacientëve të tjerë në katin e 4 të Senatoriumit duhet të kuptoni që ka dhe 12 të afërm që qëndrojnë mbi kokat e tyre. Diçka normale në kushtet e Shqipërise por ajo që kërkova për nënën time nuk ishte përtej normales teksa ishin orët e fundit të saj. Por sikur mos të mjaftonte kjo në momentin që kërkoja një dhomë teke ose dyshe tek drejtoresha përgjigja të cilën merrja ishte se “ajo nuk mund të ndërhynte tek mjekët e pavioneve”. Në spitalin Shefqet Ndroqi alias Senatoriumi duhet të kuptoni se mjekët kanë pavione të tyret dhe mendja ta do se në bazë të pagesës mund të qëndrosh vetëm ose jo cilado qoftë situata e pacientëve. Në Spitalin Shefqet Ndroqi alias Senatoriumi bën ligjin mjeku apo shefi i pavionit ndonëse protokollet thonë të kundërtën!! Drejtoresha bën sehir në bashkëpunim me mjekët. Drejtoresha “do mik të fortë” që të bëjë diçka. Drejtoreshës nuk i bën përshtypje një jetë njeriu sepse thjesht nuk do t’ia dijë. Drejtoresha dhe bashkëpunëtorët e saj alias mjekët duhet të përgjigjen për bëmat e tyre. I gjithë ky kalvar zgjati për 2 ditë,vetëm 48 orë, pa oksigjen, nëpër korridoret e Senatoriumit, pa një dhomë për të dhënë shpirtin, dhe çfarë është më e keqja pa njerzillëkun e drejtoreshës që donte “mik” që nëna ime të shkonte në Reanimacion. Zemra e saj pushoi së rrahuri më 24 tetor 2023 në senatoriumin Shqiptar!!