zoom

Aktualitet

Rrëfimi i Metës: E planifikuam vrasjen e babait. I thashë çohu nga divani dhe e qëllova 4 herë!

25-vjeçari Hysen Meta u tregoi policëve çdo detaj nga planifikimi deri në vrasjen e babait të tij, Pëllumb Meta, 50 vjeç.

Ai u tha atyre se planin e kishte thurur me të motrën. Pasditen e 10 shkurtit kur Pëllumb Meta ishte kthyer nga puna dhe kishte rënë për të fjetur në divan, i biri i kishte thënë të zgjohej dhe e kishte qëlluar me 4 plumba.

E kishte qëlluar me një pistoletë që 50 -vjeçari, që punonte si roje, e mbante pa leje.

25-vjeçari u tha hetuesve se arsyeja përse kishin vendosur që ta vrisnin babain ishte fakti se ai ishte bërë i padurueshëm dhe për gjithçka në shtëpi vendoste ai. Ndër të tjera, sipas tij, ai kishte vendosur ta martonte të motrën me një emigrant që nuk e njihnin, pa dëshirën e saj.

Megjithatë, policia ka dyshime edhe mbi këtë version dhe hetimet po vijojnë mbi motivin.

Rrëfimi i të dyshuarit:

“Planin për vrasjen e babait e bëmë së bashku me motrën sepse ai ishte bërë i padurueshëm në familje. Për gjithçka në familje duhej të vendoste ai dhe të bëhej si thoshte ai.

Ishte e pamundur që ta kundërshtoje. E fundit ishte vendimi për të fejuar motrën me një person që nuk e kishim idenë se kush ishte në kundërshtim me dëshirën e saj.

Në këto kushte vendosëm ta vrisnim e të zhduknim gjurmët. Vendosëm ta vrisnim me pistoletën e tij. Kështu që në mëngjes bëmë planin për ta vrarë.

Pasdite babai ishte shtrirë në divan dhe po pushonte. Në dhomë me mua ishte edhe motra. I thashë babait çohu. Ai u çua në këmbë dhe pastaj unë e qëllova 4 herë me pistoletë.

Më pas u morëm me zhdukjen e gjurmëve. E zhveshëm dhe e mbështollëm me plasmas. E transportuam te kasollja dhe aty e varrosëm.

Më vonë larguam dhe makinën. Shkuam me dy makina në sektorin Rinia. Unë me makinën e babait kurse vëllai me një makinë tjetër që ja morëm një shokut tonë të cilit i thamë se na duhej për nja një orë makina e tij.

E lamë makinën e babait atje dhe u kthyem me makinën e shokut që e ngiste vëllai im. Pastaj me datën 13 unë u paraqita në polici dhe denoncova largimin e babait nga shtëpia”./ZOOM.AL/