zoom

Politikë

Rrëfehet Albin Kurti: Më kanë kërcënuar terroristët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rrëfyer një episod kërcënues për të. Në një intervistë për median e huaj “Delfi”, Kurti ka deklaruar se e kanë kërcënuar terroristët përmes një letre, pas një aksioni të policisë që goditi një grup me municion luftarak.

“Dje kemi konfiskuar një sasi të madhe municionesh dhe kallashnikovë nga një shtëpi në një komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës. Pak para se të vija në intervistë, mora një tjetër letër kërcënuese nga terroristët, ku thuhej me tallje se armët që kishim sekuestruar ishin vetëm një pjesë e vogël e pajisjeve të tyre”, ka deklaruar Kurti.

Ai u ndal edhe te tensionet në veri, duke shtuar se anëtarët e grupit Wagner dhe Ujqërit e Natës, një klub rus i motoçiklistëve i njohur për lidhjen e tij të ngushtë me Kremlinin, kishin hyrë në Kosovë nga Serbia dhjetorin e kaluar. Sipas tij, këta persona kishin krijuar lidhje të ngushta me organizatat terroriste që veprojnë në rajon.

“Kemi dëshmi se disa nga serbët që bojkotuan zgjedhjet ishin të lidhur me grupin Wagner, madje disa prej tyre ishin anëtarë të grupit. Disa anëtarë të Wagner dhe Ujqërve të Natës (një klub rus i tërbuar motoçikletash i mbështetur nga Kremlini – red.) erdhën në Kosovë nga Serbia dhjetorin e kaluar dhe kanë lidhje të ngushta me dy organizatat terroriste. Dhe një organizatë terroriste po dërgon kërcënime me vdekje për mua dhe ministrin tim të brendshëm”, u shpreh Albin Kurti.