zoom

Ide & Blog

Rokadë parlamentare mes demokratëve

Nga Lutfi Dervishi

Deputetët demokratë të Rithemelimit do t’i dorëzojnë kolegëve të tyre të PD, zyrtare (me proces verbal të rregullt) axhendën, objektivat, idete planin e masave dhe planin organizativ të “intifadës parlamentare”.

Akt dorëzimi do të bëhet sot pasdite me një ceremoni të veçantë që do të organizohet në ambientiet e selisë së parlamentit me pranine e kryetares se Kuvendit dhe Kryetaret e grupeve Parlamentare.
Në listën e inventarit përfshihen të nëvizuar me të kuqe tre objektiva:

A. reforma zgjedhore
B. krijimi i komisioneve hetimore parlamentare
C. njohja e drejtimit të grupit parlamentar të opozitës.

Dorezimi i stafetës së objektivave do të shoqerohet me dorezimin fizik të:

1. Flakadaneve (cope 27 ngjyre blu)
2. Kapasolla (cope 11)
3. Karrike per t’u kthyer përmbys (cope 56)
4. Miell (nga ai që bëhen petullat), 2 kilogram.
5. Veze (30 cope)
6. Tri seanca trainimi per përplasje fizike me garden
7. Pankarta (cope 7)

Akti i dorëzimit do të përmbyllet me një deklaratë të përbashkët, të dy grupeve e cila do të lexohet nga deputeti që ka tonin me të lartë dhe garanton vëmendjen e të pranishmëve. Deklarata do të theksojë angazhimin e palëkundur për realizimin e objektivave me një përkushtim e vetëmohim që tejkalon çdo pengesë logjistike, duke përfshirë edhe nevojën për të mësuar në mënyrë që me të njëjtat asortimente (miell dhe vezë) të shtojnë menunë e armëve në përputhje me traditat më të fundit të protestave parlamentare.

Por ceremonia nuk do të mbyllet pa një moment surprizë: një kurs intensiv në gjuetinë me kapasolla, të demonstruar nga kampioni i padiskutueshëm i kësaj disipline.

Me këtë, akt deputetët e opozitës garantojnë një precedent të ri në politikë- ku flakadanët, kapasollat, dhe karriket përmbys janë jo vetëm mjete logjistike, por simbole të një angazhimi të palëkundur për debat dhe demokraci. Gjithashtu me këtë akt ngjizet edhe proverbi i ri: “përçarja bën fuqinë”.