Aplikacion
Vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, u shpenzuan 57% e fondeve të programuara, vetëm 16,6 miliardë lekë nga 29 miliardë të planifikuara. Dobësitë kanë vijuar edhe në janarin e këtij viti. Ministria e Financave, në një raport të detajuar për shpenzimet buxhetore, bëri të ditur se janë përdorur vetëm 6 milionë lekë nga 800 milionë lekë të programuara ne janar, ose më pak se 1% e planit. Ky realizim i përket Qeverisjes Vendore.
Në të kundërt, shpenzimet kapitale gjatë këtij muaji ishin në nivelin e 963 milionë lekëve, ose 142% mbi planin e shpenzimeve të janarit.
Në një udhëzim të posaçëm, Ministria e Financave urdhëroi që fondet e akorduara për rindërtimin (korente dhe kapitale), të cilat rezultojnë të pashpenzuara në fund të vitit buxhetor 2020, trashëgohen në vitin 2021 dhe përdoren për të njëjtin qëllim. Nga viti i kaluar u trashëguan për përdorim këtë vit 12.4 miliardë lekë. Gjithsej fondi për rindërtimin më 2021 është 28 miliardë lekë. Në muajin janar shihet se realizimi ishte shumë i dobët në raport me planin e periudhës dhe fondet totale të rindërtimit. Ministria e Financave ka sqaruar se nëse fondet e planifikuara nuk realizohen as këtë vit, ato autorizohen për përdorim në vitin 2022.
Fondi i këtij viti prej 28 miliardë lekësh do të përdoret për të përballuar kostot për projektet e miratuara dhe të pafinancuara të vitit 2020 (fonde të mbartura nga viti 2020) si dhe projektet e reja me vendim të Këshillit të Ministrave.
Zbatimi i planit të financimit hasi vështirësi për shkak të parapërgatitjeve në terren me gjetjen e tokave dhe planifikimin urban që shtyu procedurat e tenderimeve dhe investime në terren.
Sipas planit zyrtar të qeverisë për rindërtimin, totali i nevojave për rimëkëmben pas tërmetit kërkon financimin e një shume prej 123 miliardë lekësh, rreth 1 miliard euro. Kjo shumë planifikohet të financohet deri në vitin 2025 me 300 milionë euro, ose 30% të totalit, nga fondet buxhetore të qeverisë shqiptare, dhe pjesa tjetër prej 700 milionë eurosh nga donatorët dhe OJF-te të ndryshme, që janë angazhuar në këtë proces.
Vlerësimet zbulojnë se efekti i përgjithshëm i katastrofës në 11 bashki arriti në 985.1 milion euro (121.21 miliardë lekë), nga të cilat 843.9 milionë euro përfaqëson vlerën e aseteve të shkatërruara fizike dhe 141.2 milionë euro humbje indirekte./B.Hoxha -Monitor
Hije dyshimi nga Elbasani/ Gledian Llatja blen 130 milionë lekë pajisje fonie për Këshillin Bashkiak