zoom

Lajme

RENEA dhe FNSH në terren, detaje nga protesta e PD-së! “Blindohet” Kryeministria

Kryeministria është blinduar me veshje metalike disa orë para nisjes së protestës së PD-së para godinës qeveritare. Ndërkohë mësohet se mbi 1200 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës. Gjithashtu në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA.

Garda e Republikës nga ana tjetër do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve. Ndërkohë në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz. Do të ketë edhe 5 autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh.

Para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj do të krijohet kordoni me efektivë policie. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.

Dje në drekë Policia e Tiranës është thirrur në takim nga drejtori i përgjithshëm për protestën. Në mbledhje kanë qenë të gjithë vartësit e tij të departamentit të rendit dhe sigurisë dhe shefat e komisariateve të Tiranës. Kryepolici Ilir Proda ka dhënë porositë lidhur me detyrat e policisë për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestës. Bëhet me dije se Proda u ka kërkuar vartësve që të kenë kujdes dhe të mos provokohen nga protestuesit dhe të ruajnë qetësinë. Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm u ka kërkuar që ndërhyrjet të jenë të minimizuara vetëm në raste nevoje dhe mos të krijohen përplasje të provokuara.

Postime të lidhura