zoom

Bota

Rëndohet edhe më shumë bilanci i masakrës në Moskë, 93 të vdekur. Arrestohen 11 persona

Rëndohet edhe më shumë bilanci i masakrës në Moskë. Numri i të vdekurve nga sulmi, i pretenduar nga ISIS, është 93 persona deri tani, duke përfshirë 3 fëmijë. Më herët ishte raportuar për 82 të vdekur dhe rreth 150 të plagosur.

Kievi tha se nuk ishte i përfshirë, teksa faktori ndërkombëtar e dënoi këtë sulm gjakatar. deri tani janë ndaluar 11 të dyshuar dhe ka 4 emra të personave që kryen sulmin, nga Taxhikistani.

Burra të armatosur me automatikë kallashnikov me veshje kamuflazhi hynë në Sallën e Bashkisë Crocus, një sallë koncertesh në veriperëndim të qendrës, duke hapur zjarr pa mëshirë ndaj pjesëmarrësve të koncertit.

Sulmuesit, para se të arratiseshin me një “Renault” të bardhë, hodhën edhe granata ose shishe ndezëse dhe pak më pas e gjithë ndërtesa u përfshi në zjarr. U bënë 11 arrestime, njoftoi Kremlini, duke përfshirë 4 terroristë të përfshirë drejtpërdrejt në sulm.

Pasaportat e Taxhikistanit u gjetën në makinën e përdorur për arratisje.

Sipas mediave, emrat e tyre janë: Nasridinov Makhmadrasul, 37 vjeç, Ismonov Rivozhidin, 51 vjeç, Safolzoda Shokhinjonn, 21 vjeç dhe Nazarov Rustam, 29 vjeç. Makina, në të cilën udhëtonin katër të dyshuarit për sulmin në auditorin e rajonit të Moskës, u gjet në distriktin Karaçi, rajoni Bryansk. Këtë e ka konfirmuar deputeti rus Alexander Khinshtein, sipas të cilit makina nuk është ndalur kur policia ka tentuar ta ndalojë të arratiset.

SHBA kishte paralajmëruar Moskën për mundësinë e një sulmi. /ZOOM.AL/