Aplikacion
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, me katalanasit që ushtruan presion që në minutat e para. Ekipi i Xavit zhbllokoi llogaritë në minutën e gjashtë, me një gol me kokë të Christensen, i ndihmuar edhe nga një gabim i Lunin në dalje. Los Blancos reaguan dhe barazuan shifrat me Vinicius, i cili ekzekutoi si duhet një penallti në minutën e 18-të.
Një nga episodet më të rëndësishme të takimit i takon minutës së 28-të, kur portieri Lunin largon një top në vijën fatale. Pati pretendime nga mysafirët, që ishin të bindur që topi ka kaluar vijën, gjithsesi pas një rishikimi me VAR, arbitri tha se nuk ka gol, edhe pse dukshëm topi dallohej se kishte kaliar vizën e bardhë.
Fermin Lopez “heshti” madrilenët në të 69-tën, por gëzimi zgjati pak, pasi Lucas Vazquez dërgoi shifrat në 2-2. Ekipi i Ancelottit siguroi fitoren me golin e Bellingham në fund, teksa gjyqtari nuk akordoi një penallti të pastër të shkaktuar nga Rudiger ndaj Ferran Torres në pjesën e dytë, e ngjashme me atë që u dha madrilenëve në pjesën e parë.
Në Barcelonë ndihen të vjedhur pas një “El Clasico” me shumë polemika, mbi të gjitha për një gol të pa dhënë në favor të ekipit blaugrana. Nuk fshihet Xavi, por është e drejtpërdrejtë kur thekson se vendimet e gjyqtarit të takimit vendosën sfidën me Real Madird:
“Me ndeshjen që zhvilluam, më normalja ishte të fitonim. Duhet të jemi krenar për mënyrën se si luajtëm, mbi të gjitha në pjesën e dytë. E kontrolluam mirë ndeshjen dhe meritonim 3 pikët”, u shpreh Xavi duke u ndalur më pas te vendimet e gjyqtarit të takimit:
“Në këndvështrimin tim është i njëjti film si në sfidën e parë. Të gjithë e panë. Mund të kursehem, por pamjet flasin qartë. Ter Stegen u shpreh se është një mëkat që nuk ishte goal linë? Jam plotësisht dakord. Është një mëkat. Uroja vetëm që kjo teknologji të mos duhej në këtë sfidë, ja pata thënë edhe gjyqtarit që shpresoja të kalonte në heshtje, por nuk ndodhi kështu.
A e meriton Reali titulli? I bëj komplimentet e mia. Ata kanë humbur vetëm një ndeshje, kanë zhvilluar një kampionat të shkëlqyer, por ndjesia ime pas këtij takimi është një zhgënjim i madh”, u shpreh Xavi ndër të tjera në konferencë për shtyp.
Sigurisht, e ndryshme është atmosfera në radhët e Real Madrid, kjo fitore në “El Clasico” i afron gjithnjë e më shumë me titullin: “Ishte një ndeshje shumë e luftuar kundër një ekipi të fortë. Jam krenar për ekipin tim pasi brenda pak ditësh morëm dy fitore të mëdha, kundër dy ekipeve të forta. 11 pikë plus Barcelonës? Kjo fitore na afron edhe më shumë me titullin, por ka ende ndeshje. Tani duhet të pushojmë mirë pasi ka qenë një javë e ngarkuar.
Xavi foli për padrejtësi? Nuk dua të gjykoj atë që mendon Xavi, çdo kush ka opinioni i tij. Preferoj më shumë të flas për ndeshjen, ishte e ekuilibruar. Kemi një avantazh të rëndësishëm, por nuk duhet të relaksohemi, duhet të bëjmë pikë të tjera dhe të përgatisim si duhet ndeshjen në gjysmëfinalen e Champions League”, u shpreh Ancelotti pas ndeshjes. /ZOOM.AL/