Aplikacion
“Si çdo institucion e organizëm shtetëror edhe GJKKO e SPAK kanë nevojë për reflektim e përmirësim për t’u konsoliduar më tej”, deklaroi ai, teksa shtoi se hetimi ndaj Veliajt është fokusuar tek personi dhe jeta e tij.
“Personalisht bëj pjesë tek të gjithë ata që besojnë që Erion Veliaj, për aq sa e njoh dhe si e njoh, nuk është një zyrtar i korruptuar. Askush nuk është i pagabueshëm, por nuk i shoh gabimet e tij edhe nëse janë të tilla, si qasje korruptive”, tha Xhafaj.
Socialisti shtoi se në rastin e Veliajt nuk po hetohet, sipas tij, vepra penale konkrete.
“Nuk e njoh gjithë çështjen në fjalë dhe nuk pretendoj ta njoh në thelb, por për aq sa kam lexuar dhe me njohjen që kam se si është ndërtuar ky proces, kam pikëpyetjet e mia për mënyrën se si ka filluar dhe si është proceduar në këtë çështje penale”, theksoi Xhafaj.
Ndërsa përfundoi duke thënë se: “Nuk i hyj fare çështjes në thelb, është apo jo i fajshëm dhe përgjegjës ai për çfarë akuzohet, pavarësisht se nga ato qindra faqe nuk e gjej qartë një gjë të tillë, se ku është korrupsioni i vetë Kryetarit të Bashkisë!! Gjithësesi kjo nuk më përket mua dhe as tentoj ta bëj këtë gjë. Kjo i përket më së pari prokurorëve, ata kanë barrën e provës, të provojnë fajësinë me prova bindëse, përtej çdo dyshimi, me prova të qarta dhe jo me supozime e interpretime indirekte siç lexohen në vendimin gjyqësor.”
Reagimi i plotë i Fatmir Xhafajt:
Këto ditë më kanë kontaktuar apo shkruajtur shumë prej jush, kolegë, profesionistë të fushës së drejtësisë, socialistë e qytetarë të zakonshëm për disa tema të rëndësishme të ditës që lidhen me Reformën në drejtësi, me SPAK dhe sidomos me çështjen Veliaj. Shqetësimet e tyre i gjej legjitime pavarësisht nga këndvështrimet e ndryshme. Në pamundësi t’ju përgjigjem të gjithëve dhe në reflektim të detyrimit që kam si deputet, si ish-Kryetar i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi (2014-2017) dhe tashmë si Kryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, gjykova t’ju përgjigjem përmes këtij reagimi publik.
I.
Së pari çfarë do të lexoni në radhët e këtij prononcimi publik, s’e ndryshon aspak bindjen dhe qëndrimin tim të kahershëm për çfarë ne bëmë me Reformën në Drejtësi këtu e pak vite më parë dhe rolin e kontributin tim në këtë proces. Nuk kam asnjë mëdyshje për rëndësinë dhe vlerat e këtij projekti historik, për qëllimet dhe pritshmëritë ndaj tij. Sot jam edhe më i vetëdijshëm për rëndësinë që ky projekt ka dhe do të ketë edhe më shumë në vite për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Krejt normale të kemi opinione të ndryshme, por fakteve duhet t’u qëndrojmë.
Sot është fakt i pamohueshëm që me këtë reformë NE i dhamë Shqipërisë një drejtësi të re për të krijuar njëherë e përgjithmonë me Kushtetutë një ndarje të pastër të pushteteve siç e ka çdo vend tjetër demokratik në Europën e Bashkuar, ndarje pushtetesh që ky shtet s’e ka pasur kurrë prej ditës kur është krijuar. Reforma i ka dhënë sistemit të drejtësisë, institucioneve të tij dhe veçanërisht prokurorëve e gjyqtarëve pavarësinë e plotë vendimmarrëse e funksionale, pavarësi që nuk e kishin kurrë më parë dhe që sot i bëjnë të krahasueshëm me standardet më të larta evropiane.
Fakt është që drejtësisë së re, i është dhënë mbështetje e jashtëzakonshme nga kjo maxhorancë. Mbështetje politike, mbështetje me burime njerëzore, infrastrukturore dhe buxhetore si askush dhe asnjëherë më parë.
Është fakt i pamohueshëm që ky projekt reformimi dhe zbatimi i tij ka qenë dhe mbetet përcaktues në procesin e integrimit të vendit, në vlerësimet e agjencive të ndryshme ndërkombëtare për përparimin demokratik dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.
Nga ana tjetër është gjithashtu fakt, se ndërsa ne kemi reformuar sistemin e drejtësisë duke e vendosur atë mbi standarde evropiane, shpesh qasja e politikës, institucioneve shtetërore, medias dhe vetë opinionit publik ndaj tij mbetet e njëjtë. Ashtu sikundër është fakt që kemi ngritur një sistem të ri drejtësie, kemi bërë institucione të reja me standarde evropiane, por ende një pjesë e njerëzve që shërbejnë në sistem kanë ndryshuar pak në mentalitetin, qasjen dhe sjelljen e tyre në raport me ligjin dhe detyrën. Në vlerësimin tim aktualisht ky është problem kyç që meriton vëmendje për trajtim me zgjidhjet përkatëse.
Ndjehem i keqardhur kur njerëzit e drejtësisë, për shkak të detyrës intimidohen dhe sulmohen deri edhe te shantazhimi i familjeve të tyre. Kam qenë dhe mbetem solidar me ta në këtë përballje me të keqen, me armiqtë e Reformës në Drejtësi.
Ndërkohë i mirëkuptoj kritikat e shëndetshme që adresohen, shqetësimet konstruktive që synojnë identifikimin e problematikave dhe përmirësimin e sistemit. Edhe personalisht nuk kam munguar që publikisht në disa debate parlamentare të adresoj të tilla edhe pse shpesh kanë qenë objekt keqkuptimesh e spekulimesh dhe jo rrallë sulmeve të gjithëkrahshme.
Kam kërkuar shpesh që edhe vetë institucionet e drejtësisë të jenë shumë më modeste e reflektuese ndaj kritikave të tilla dhe jo vetëm kur ato vijnë nga partnerët ndërkombëtarë po se po, por edhe nga profesionistët e fushës, institucionet, shoqëria civile dhe vetë qytetarët e këtij vendi. Në vlerësimin tim personal, siç edhe e kam thënë disa herë publikisht, pavarësia nuk mundet kurrsesi të shërbejë për t’u mbrojtur për dobësitë e sistemit, për të justifikuar mungesën e përgjegjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies prej tyre, për të kërkuar disa privilegje të pajustifikuara e të pamerituara, për të mos bashkëpunuar e bashkëvepruar me pushtetet e tjera në funksion të qëllimeve të përbashkëta, në interes të vendit. Është kjo qasje një ndër arsyet e problematikave që konstatohen lidhur me cilësinë e dobët të qeverisjes së brendshme të vetë sistemit nga KLGj e KLP, të kontrollit të brendshëm të tij nga ILD, cilësinë e dobët të hetimeve e gjykimeve, zvarritjen e tejzgjatjen kohore të proceseve gjyqësore penale, civile e sidomos atyre administrative, mungesave në aksesin dhe shërbimet që ju ofrohen qytetarëve etj.
Jam tërësisht i vetdijshëm se s’ka reformë perfekte dhe s’ka ligj perfekt ndaj është domosdoshmëri, është përgjegjshmëri të analizosh progresin, të kesh sensin vetëkritik e reflektues ndaj problemeve që praktika nxjerr dhe ca më tepër edhe ndaj gabimeve të mundshme që mund të jenë bërë në procesin e zbatimit të reformës. Zbatimi i kësaj reforme historike që ne udhëhoqëm e finalizuam me sukses, ishte dhe mbetet një sfidë e vijueshme.
Është kjo arsyeja që ne në kuadër të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, një komponent të veçantë ia kemi dedikuar drejtësisë. (III.3 “Konsolimi i sistemit të drejtësisë”). Kjo sepse kemi përgjegjësinë të mbrojmë progresin, të vlerësojmë arritjet, por ndërkohë të shohim edhe problematikat e të reflektojmë ndaj tyre si një mundësi për t’a vazhduar e konsoliduar më tej zbatimin e Reformës në Drejtësi, vetë sistemin e drejtësisë duke i ruajtur të paprekura dhe fuqizuar edhe më tej shtyllat kushtetuese të drejtësisë së re të miratuara në 2016, arkitekturën ekzistuese të sistemit.
NE, përmes një projekti të guximshëm kushtetues, ndërtuam një sistem drejtësie tërësisht mbi standarde evpropiane, duke i garantuar një pavarësi të plotë vendimmarrëse e funksionale dhe jemi duke e mbështetur fort atë në çdo aspekt dhe tashmë qytetarët taksapagues të këtij vendi kanë gjithë të drejtën të shohin prej saj të bëjë dhe të japë drejtësi të standardeve evropiane, në respekt të plotë të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi.
II.
Së dyti dua të ripohoj se në arkitekturën e sistemit të ri të drejtësisë, në institucionet tona të drejtësisë penale, ngritja e GJKKO dhe SPAK ka qenë një zgjidhje e domosdoshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne, ndryshe nga rregulli i përgjithshëm, ngritëm një strukturë speciale për të bërë një punë speciale në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në zyrtarët e nivelit të lartë, për të hetuar e gjykuar në këto fusha vepra penale të rrezikshmërisë së lartë dhe me pritshmëri të madhe, për të vendosur në gjykimin e ligjit çështje me interes të veçantë publik që prej vitesh nuk ishin bërë dhe ende nuk janë bërë të mundura t’u nënshtrohen gjykimit të drejtësisë së vërtetë, barazisë para ligjit. Ndaj i kemi dhënë Gjykatës së Posaçme e sidomos SPAK (Prokurorisë së Posaçme e BKH-së) një status special kushtetues, ligjor e institucional, por edhe një mbështetje speciale në status, në burime njerëzore e financiare.
E kam mbështetur qysh ditën e parë dhe në vijim punën e GJKKO, SPAK dhe BKH e sidomos të prokurorëve dhe hetuesve të angazhuar në to, me bindjen e plotë se duhej dhe duhen mbështetur fort në funksion të misionit të tyre. E në vlerësimin tim SPAK, me punën dhe rezultatet e dëshmuara e ka justifikuar veten, pasi ka thyer më së paku fenomenin e pandëshkueshmërisë. Edhe përballë kritikave rreth punës së tyre kam qenë gjithnjë mbrojtës edhe kur kam parë gjëra që nuk shkonin duke i përligjur me rritjen, me vështirësitë e hetimeve penale në këto fusha dhe presionin e lartë që mbart një punë e tillë e i mirëkuptoj në këtë këndvështrim. I vlerësoj shumë prej tyre për ndershmërinë dhe aftësitë profesionale.
Kjo nuk më ka penguar të dëgjoj me vëmendje çdo problematikë dhe shqetësim për punën e tyre, lidhur me zbatimin e ligjit penal sidomos në aspektin procedurial. Kjo jo vetëm nga avokatë penalistë me shumë përvojë, por edhe nga pedagogë e profesionistë të ligjit dhe përfaqësues të shoqërisë civile që i çmoj për dijet e tyre. Ndaj kam qenë shumë mbështetës për institucionin, por edhe kritik e këshillues për disa probleme të cilat i kam artikuluar edhe publikisht në komisione e seanca plenare. Sepse kam besuar e vazhdoj të besoj se si çdo institucion e organizëm shtetëror edhe GJKKO e SPAK kanë nevojë për reflektim e përmirësim për t’u konsoliduar më tej. Vlerësoj raportet e drejtuesve të SPAK në Kuvend që kanë pasur shpesh sens vetëkritik dhe propozime konkrete për amendime që përgjithësisht synojnë përmirësimin e funksionit dhe punës së tyre.
Eshtë vërtet speciale dhe jetike lufta e SPAK e GJKKO ndaj këtyre fenomeneve, por po aq jetike është që gjithçka në këtë proces, investigimi, hetimi e gjykimi të bëhen nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor, ku palët respektohen e dëgjohen konform ligjit, ku qëllim ndëshkimi nuk është individi në vetvete, por shkelja e ligjit, hetimi dhe gjykimi mbi të bazuar vetëm në ligj dhe prova, duke respektuar parimet kushtetuese të prezumimit të pafajësisë e proporcionalitetit dhe veçanërisht duke respektuar fort ato që janë aq të shenjta, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
E kam deklaruar edhe më herët, se unë nuk bëj pjesë tek ata që e shohin arrestin me burg si alternativën kryesore në masat e sigurisë apo që e shohin përdorimin e instrumentave të drejtësisë së re për statistika penale apo populizëm mediatik.
Këto shqetësime, që i kam dëgjuar të artikulohen edhe nga shumë profesionistë të fushës, i kam ngritur në mënyrë koherente në çdo debat apo dalje publike. Ashtu si dhe vetë SPAK në raportimet periodike në Kuvend ka pohuar fort faktin se do të duhet që të ketë përmirësime ligjore në disa aspekte. Pikërisht për adresimin e këtyre çështjeve ne kemi hapur një diskutim konstruktiv edhe me ftesën e bashkëpunimit për ta, në funksion të interesit publik. Një diskutim për të konsoliduar më shumë arritjet, por edhe për të reflektuar dhe përmirësuar sistemin e drejtësisë penale, të një drejtësie preventive, jo represive.
Ne që bëmë gjithçka për ta çliruar drejtësinë nga kthetrat e politikës, kemi gjithë të drejtën e Zotit, kredon morale, politike e shoqërore që të kërkojmë nga këto institucione të japin drejtësi me standarde të panegociueshme demokratike, njëjtë si vendet e Evropës së Bashkuar ku Shqipëria do të jetë më herët sesa vonë.
III.
E treta, dua të shpreh opinion tim personal lidhur me çështjen më të diskutueshme dhe më të debatueshme për momentin, atë të Kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, të votuar në 3 mandate radhazi nga qytetarët e Tiranës, i cili pas një odiseje 1- vjeçare e më shumë përfoljesh të gjithëllojshme aktualisht është nën hetim dhe njëkohësisht nën masën e sigurisë “arrest me burg”.
Zotin Veliaj e kam njohur nga afër në momentin që ai erdhi në PS, më pas si koleg deputet e ministër dhe prej rreth 10 vitesh bashkëpunoj me të nga afër si deputet i qarkut Tiranë me Kryetarin e Bashkisë Tiranë dhe drejtuesin politik të qarkut gjithashtu. Për të gjitha këto, si bashkëluftëtar të betejave të përbashkëta, jam i keqardhur për këtë që ka ndodhur ndaj tij e familjes së tij.
Si deputet i Tiranës e kam parë nga afër punën e ditëpërditshme të Erionit për kryeqytetin e vendit, për bashkinë më të madhe, për menaxhimin e të gjitha punëve të një qyteti që rritet përditë dhe sfidat i rriten përditë. E kam parë nga afër mbështetjen popullore që Erion Veliaj ka patur për t’u zgjedhur si kryetar i Bashkisë së Tiranës. S’e mohojnë këtë fakt as kundërshtarët e tij me të zellshëm në politikë, media dhe opinionin publik. E besoj fort se kjo është edhe arsyeja kryesore përse ai luftohet kaq fort e egër dhe shpesh me goditje nën brez.
Ishte ky progres i dallueshëm i Tiranës, mbështetja popullore e kryebashkiakut nga qytetarët, afrimi i betejës elektorale, numri prej 37 mandatesh në Tiranë, gjë që bëri që prej muajsh opozita t’a kishte fokusuar gjithë betejën e saj paralektorale te Bashkia Tiranë dhe drejtpërdrejtë te Erion Veliaj. Po atë që nuk e bëri dot opozita për mbi 10 muaj me rreth 50 protesta të përjavshme e shpesh të dhunshme e bëri një vendim gjyqësor rreth 90 ditë para zgjedhjeve, që vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit dhe një prej drejtuesve kryesorë politikë të PS për qarkun Tiranë.
Personalisht bëj pjesë tek të gjithë ata që besojnë që Erion Veliaj, për aq sa e njoh dhe si e njoh, nuk është një zyrtar i korruptuar. Askush nuk është i pagabueshëm, por nuk i shoh gabimet e tij edhe nëse janë të tilla, si qasje korruptive. Nuk e njoh gjithë çështjen në fjalë dhe nuk pretendoj ta njoh në thelb, por për aq sa kam lexuar dhe me njohjen që kam se si është ndërtuar ky proces, kam pikëpyetjet e mia për mënyrën se si ka filluar dhe si është proceduar në këtë çështje penale. Druaj se jemi para rastit ku investigohet e hetohet personi dhe jeta e tij, për të gjetur fakte penale në ngarkim të tij dhe jo përpara asaj çfarë ligji lejon e kërkon, pra që hetohet vepra penale konkrete dhe prej saj shkohet te përgjegjësia e personit konkret të cilin gjithësesi të fajshëm apo jo e përcakton vendimmarrja gjyqësore e të dy shkallëve dhe jo hetuesi e prokurori.
Duke lexuar vendimin gjyqësor që ka pranuar e certifikuar kërkesën e prokurorit për masë sigurie “arrest me burg” bindem edhe më shumë për një proces jo të drejtë në aspektin procedurial. Faqet e shumta të vendimit gjyqësor nuk bindin dot askënd që ka minimumin e kulturës juridike që masa e marrë është proporcionale dhe në përputhje me kërkesat e Kodit të Procedurës Penale lidhur me këtë masë sigurie. Ca më keq akoma nuk bindin kur shtron në diskutim dobinë dhe interesin publik, përfshi dhe momentin politik e elektoral kur ajo u dha.
Nëse këtë e bashkon pastaj edhe me fillimin “anonim” të kësaj çështjeje, mënyrën e procedimit, mënyrën se si iu servir publikut gjatë hetimit dhe pas vendimit gjyqësor, me disa “argumenta” që përdoren për këtë vendimmarrje që nuk pëputhen me të vërtetën që ne njohim dhe akoma më keq kur dëgjon për presione e shantazhe ndaj dëshmitarëve të pyetur, me të drejtë kjo e vendos në pikëpyetje integritetin profesional e moral të këtij procesi duke e bërë atë të dyshimtë në sy të çdo profesionisti të ligjit dhe vetë publikut.
Të jemi të qartë, askush nuk është dhe nuk duhet të jetë mbi ligjin. Të gjithë jemi të barabartë para ligjit dhe gjithkush mund e duhet të hetohet dhe gjykohet pavarësisht statusit politik, institucional e social. Edhe Erion Veliaj, padyshim që PO.
Nuk i hyj fare çështjes në thelb, është apo jo i fajshëm dhe përgjegjës ai për çfarë akuzohet, pavarësisht se nga ato qindra faqe nuk e gjej qartë një gjë të tillë, se ku është korrupsioni i vetë Kryetarit të Bashkisë!! Gjithësesi kjo nuk më përket mua dhe as tentoj ta bëj këtë gjë. Kjo i përket më së pari prokurorëve, ata kanë barrën e provës, të provojnë fajësinë me prova bindëse, përtej çdo dyshimi, me prova të qarta dhe jo me supozime e interpretime indirekte siç lexohen në vendimin gjyqësor.
Si ligjvënës, si përfaqësues i zgjedhur edhe me votat e qytetarëve të Bashkisë së Tiranës kam gjithë të drejtën të kërkoj që e gjithë kjo të kryhet me objektivitet dhe paanësi dhe përmes një procesi të rregullt ligjor, në respektim të parimeve kushtetutese dhe përcaktimeve të ligjit penal procedurial duke mbajtur kurdoherë në konsideratë të drejtat e liritë e njeriut dhe padyshim edhe interesin publik dhe sigurinë publike.
Njohja e gjatë dhe e thellë me Erionin e mban të njëjtë edhe sot vlerësimin tim për të si një funksionar publik që kudo ku ai ka qenë, ka shërbyer në interes të ligjit dhe të të mirës publike.
Gjithësesi në kushtet kur në tregun mediatik janë nxjerrë inventarët e veshjeve (jo pa qëllim dhënë në atë mënyrë dhe me ato detaje) opinioni publik meriton të sqarohet rreth tyre pavarësisht se nga sa del nga vendimi gjyqësor i bërë publik nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë edhe midis atyre “fakteve” dhe akuzës për korrupsion ndaj Kryetarit të Bashkisë.
Në përfundim duke i shprehur mbështetjen time Erionit në betejën e tij ligjore e politike, i kërkoj atij edhe në kushtet aktuale të izolimit, të bëjë transparencën e plotë për akuzat e ngritura si detyrim ndaj opinionit publik, qytetarëve e zgjedhësve të tij të Tiranës, si dhe përballë gjyqtarëve që do t’a gjykojnë e vendosin për të vërtetën e tij.