zoom

Aktualitet

Raporti/Shqipëria bie me 3 vende në raportin e paqes dhe mbrojtjes së popullatës së saj

“Instituti për Ekonomi dhe Paqe” ka renditur Shqipërinë në vendin e 59-të në listën e pozitivitetit dhe paqes. Nga viti i shkuar, vendi jonë ka rënë me 3 pozicione.

Positive Peace Report mat qëndrueshmërinë në vende të ndryshme dhe aftësinë që kanë këto vende për të mbrojtur popullatat e tyre për goditje të pafavorshme, si p.sh rëniet ekonomike, kriza politike apo fatkeqësitë natyrore. “Paqja Pozitive” nënkupton gjithashtu dhe prirjen që kanë vendet për t’u rikuperuar pas goditjeve të tilla. Raporti thekson se nivelet e të larta të “Paqes Pozitive” janë të lidhura statistikisht me rritjen më të lartë të PBB që kanë vende të caktuara si dhe nivelin e lartë të mirëqenies së tyre.

Në nivel rajonal Shqipëria renditet e treta. I pari është Mali i Zi, i cili renditet në vend të 52-të, ndërsa vendi i dytë në nivel rajoni është Maqedonia e Veriut, e renditur e 56-ta. Shqipëria ka lënë pas me dy pozicione Serbinë, e cila renditet në vend të 61-të. Kosova dhe Bosnje Hercegovina ndjekin në renditje Serbinë, duke u pozicionuar në vend të 77-të dhe 83-të respektivisht.

Suedia kryeson këtë indeks duke u renditur e para, ndërsa në vend të fundit gjejmë të renditur vende si Somalia apo Sudani i Jugut.