zoom

Aktualitet

Raporti konfidencial i OSBE, plot me kritika për lirinë e medias, korrupsionin dhe krimin

Kryetari i Prezencės sė OSBE-sė nė Shqipėri, ambasadori Vincenzo Del Monaco, paraqiti, sot, në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, në Vjenë, raportin vjetor të punës së Prezencës në Shqipëri.

Raporti është konfidencial dhe është prezantuar në një takim të Këshillit të Përhershëm me dyer të mbyllura, ku marrin pjesë edhe ambasadorë e përfaqësues të shteteve të ndryshme që janë anëtare të OSBE-së.

Vetë zyra e OSBE-së në Tiranë nuk ka zbardhur asnjë detaj lidhur me këtë raport dhe konstatimet që ai bën në përgjithësi për fusha të caktuara të jetës politike dhe shoqërore në vendin tonë.

Por janë përfaqësuesit e Britanisë së Madhe dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së ata që në mënyrë indirekte ka zbuluar thelbin e përmbajtjes së raportit të zyrës së OSBE-së në Tiranë.

Të dy e falenderojnë ambasadorin Del Monaco për pasqyrimin që ka bërë për situatën e medias dhe atë të korrupsionit e krimit të organizuar, çka tregon shqetësimet që ka ngritur ambasadori i OSBE-së për këto dy fusha të rëndësishme që kanë të bëjnë me situatën në Shqipëri.

Më konkretisht, zëvendësambasadori britanik, Deirdre Brown në ndërhyrjen e tij e ka përqendruar fjalimin e tij në reformën zgjedhore, lirinë e medias, anti-korrupsionin dhe luftën kundër krimit të rëndë të organizuar dhe trafikimit.

Sa i përket lirisë së medias, duke iu referuar pikërisht konstatimeve të bëra nga Del Monaco, ai thotë se “siç vë në dukje raporti juaj, Indeksi i Lirisë së Medias, i publikuar nga Reporterët pa Kufij në maj 2022, e renditi Shqipërinë në vendin e 103-të, duke rënë me 20 vende në krahasim me vitin 2021”.

Më tej ai thekson se “gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë në mënyrë të lirë dhe të saktë për t’i kërkuar llogari atyre që janë në pushtet, te  ekspozojnë korrupsionin dhe informojnë qytetarët”.

Pra përfaqësuesi britanik zbulon në këtë mënyrë edhe shqetësimet që trajton raporti i OSBE-së sa i përket lirisë së medias në vendin tonë.

Gjithashtu përfaqësues britanik zbulon edhe shqetësimet që ngre raporti I Del Monacos sa I përket gjendjes së krimit të organizuar dhe trafiqeve.

“Ne përgëzojmë fokusin dhe ekspertizën tuaj të vazhdueshme në adresimin e korrupsionit, duke përfshirë legjislacionin që kundërshton korrupsionin. Vlen të përmendet se raporti juaj përmend ndërveprimin kompleks midis praktikave korruptive dhe pabarazisë gjinore. Gjinia është integrale në gjithçka që bëjmë dhe ne e vlerësojmë vëmendjen tuaj për këtë”, shprehet diplomati britanik.

Shqetësimin mbi gjendjen e medias në vendin tonë që trajton raporti e konfirmon edhe përfaqësuesi amerikan, i cili në fjalën e tij thotë se “ne përgëzojmë punën tuaj për të promovuar lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes në Shqipëri”. Jo vetëm kaq porn ë fjalën e tij ai I ka bërë thirrje Shqipërisë që të sigurojë lirinë e shprehjes dhe medias.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Shqipërisë të mbrojë sigurinë e gazetarëve dhe të mbështesë më tej lirinë e medias”, shprehet diplomati amerikan në ndërhyrjen që ka bërë gjatë diskutimit të raportit të OSBE-së.

Këto shqetësime vijnë në një kohë kur në mediat në Shqipëri kanë denoncuar ndërhyrjet dhe sjelljen e kryeministrit Edi Rama ndaj mediave dhe në mënyrë të veçantë ndaj gazetarëve.