Aplikacion
Në nivelin e parë përfshihen vendet dhe territoret qeveritë e të cilave veprojnë në pajtim të plotë me standardet minimale të kërkuara. Në nivelin e dytë hyjnë vendet dhe territoret, qeveritë e të cilave nuk përputhen plotësisht me standardet minimale, por që po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të arritur një gjë të tillë dhe në nivelin e tretë futen vendet që nuk përputhen plotësisht me standardet minimale dhe nuk po bëjnë përpjekje për një gjë të tillë. Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të renditen në nivelin e dytë.
SHQIPËRIA
Qeveria e Shqipërisë, thuhet në raport, nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme për ta bërë një gjë të tillë. Ajo demonstroi përpjekje të përgjithshme në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme raportuese, duke marrë parasysh ndikimin e pandemisë COVID-19 në kapacitetin e luftës së saj kundër trafikimit, andaj Shqipëria mbeti në nivelin e dytë. Këto përpjekje, thuhet më tej, përfshinë hetimin e më shumë rasteve dhe ndjekjen penale dhe dënimin e shumë trafikantëve.
Qeveria identifikoi më shumë viktima dhe shtoi burimet për strehimoret e drejtuara nga organizatat joqeveritare. Qeveria miratoi Planin Kombëtar të Veprimit 2021-2023 dhe ndau burime për të, megjithatë, nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha kyçe. Përfshirja e zyrtarëve në krimet e trafikimit mbeti një shqetësim dhe qeveria nuk raportoi as një ndjekje penale apo dënim të zyrtarëve, pavarësisht akuzave serioze, ndërsa shkarkoi një oficer policie nga posti i tij. Raporti vë në pah se qeverisë i mungojnë edhe burimet për të trajtuar grupet e cenueshme dhe për kujdes afatgjatë, punësim dhe përpjekje të tjera riintegrimi për të mbijetuarit e trafikimit.
NDJEKJA PENALE
Policia e Shtetit, thuhet në raport, hetoi 61 raste me 27 të dyshuar (15 të dyshuar për trafikim të të rriturve dhe 12 të dyshuar për trafikim fëmijësh), krahasuar me 31 raste me 32 të dyshuar në vitin 2020. Prokuroria e Përgjithshme ndoqi penalisht 60 çështje me 19 të pandehur (gjashtë të pandehur për trafikim të të rriturve dhe 13 të pandehur për trafikim fëmijësh), një rritje krahasuar me dy çështje me 12 të pandehur në vitin 2020. Ndarazi, SPAK-u ndoqi dy çështje të reja dhe vazhdoi dy çështje të viteve të mëparshme. Gjykatat, vë re raporti, dënuan 11 trafikantë, një rritje e konsiderueshme krahasuar me asnjë dënim në vitin 2020. Të gjithë trafikantët u dënuan për trafikim të fëmijëve. Gjykatësit dënuan pesë trafikantë me nga tetë deri në 25 vjet heqje lirie dhe dy trafikantë me nga dy deri në tetë vjet. Katër trafikantë u dënuan me kusht.
MBROJTJA E VIKTIMAVE
Raporti thekson se qeveria shqiptare rriti përpjekjet për mbrojtjen e viktimave. Qeveria dhe OJQ-të identifikuan 154 viktima të mundshme dhe pesë viktima, krahasuar me 81 viktima të mundshme dhe pesë viktima në vitin 2020. Nga ky numër, 61 ishin viktima të trafikimit seksual, 65 viktima të punës së detyrueshme dhe 33 viktima të llojeve të ndryshme të shfrytëzimit; 99 ishin femra dhe 60 meshkuj; 112 ishin fëmijë dhe 47 të rritur; dhe tre ishin viktima të huaja, dy nga Rumania dhe një nga Serbia.
PROFILI I TRAFIKIMIT
Raporti i ngjashëm me vitet e fundit thekson se trafikantët e qenieve njerëzore shfrytëzojnë viktimat e brendshme dhe të huaja në Shqipëri si dhe jashtë saj. Ata shfrytëzojnë gratë dhe fëmijët shqiptarë për trafik seksual e punë të detyruar brenda vendit. Trafikantët i shfrytëzojnë viktimat shqiptare për trafik seksual në vendet anembanë Evropës, veçanërisht në Kosovë, Greqi, Itali, Belgjikë, Gjermani, Zvicër, Maqedoni të Veriut, Norvegji, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Emigrantët shqiptarë që kërkojnë punë në Evropën Perëndimore janë të cenueshëm ndaj shfrytëzimit në punë të detyruar dhe kriminalitetit të detyruar, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar. Ekspertët raportojnë se fëmijët me aftësi të kufizuara janë gjithnjë e më të cenueshëm. Në raportin e këtij viti, i bëhet thirrje Shqipërisë që të punojë në hetimin e thellë, ndjekjen dhe dënimin e trafikantëve, përgatitjen e bartësve të sistemit të drejtësisë për trajtimin e trafikimit të njerëzve dhe shtimin e përpjekjeve për parandalimin e trafikimit, mbrojtjen e viktimave dhe riintegrimin e tyre.
Kosovë, qeveria nuk përmbushi standardet për eliminimin e trafikimit
Në mënyrë të ngjashme si një vit më parë, raporti i DASHit për trafikun e qenieve njerëzore për vitin 2022, thekson se qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme për një gjë të tillë. Qeveria demonstroi përpjekje të përgjithshme në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit, ndaj mbeti në nivelin e 2-të, thuhet në raport. Këto përpjekje, thuhet më tej, përfshijnë ndjekjen penale dhe dënimin e më shumë trafikantëve dhe identifikimin e më shumë viktimave.
Qeveria organizoi një fushatë të fuqishme ndërgjegjësimi dhe organet bashkërenduese mblodhën dhe përgatitën raporte tremujore. Megjithatë, qeveria nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha thelbësore. Gjykatësit vazhduan të shqiptojnë dënime të buta për trafikantët dhe qeveria nuk miratoi Strategjinë Kombëtare Antitrafik dhe Planin e Veprimit 2020-2024. Raporti thekson se policia, prokuroritë dhe gjykatat përdorin metoda të ndryshme për numërimin e rasteve të përndjekjeve dhe kjo ka çuar në statistika të paqëndrueshme. Raport i rekomandon qeverisë së Kosovës të hetojë me forcë, të ndjekë penalisht dhe të dënojë trafikantët, duke përfshirë zyrtarë bashkëpunëtorë dhe të dënojë trafikantët e dënuar me burg, në përputhje me dënimet e përcaktuara.