zoom

Aktualitet

Rama zbulon raportin konfidencial për Shqipërinë: Ka rritje katastrofike të çmimit të hashashit

Kryeministri Edi Rama foli në emisionin “Zonë e Lirë” për protestën e zhvilluar në Tiranë për rritjen e çmimeve.

Duke iu përgjigjur një parulle të përdorur nga protestuesit se “kushton më shumë buka se hashashi”, Rama u shpreh se ka një rritje katastrofike të çmimit të hashashit, pasi nuk ka prodhim, ndërsa përmendi dhe një raport konfidencial, që sipas tij, është bërë nga të huajt për Shqipërinë.

Pjesë nga intervista:
Protesta në Tiranë për rritjen e çmimeve…
Rama: Të hënën do të jem këtu. Protestat kanë qenë lajkmotiv, që kanë shoqëruar rrugën time si kryeministër.

Kushton më shumë buka se hashashi?
Ka një rritje katastrofike të çmimit të hashashit, për shkak se nuk ka prodhim. Është rritur shumë çmimi, se ka rënë prodhimi.

Unë nuk e dija këtë…
E kam parë në një raport. Nuk ka më as kapje nga policia italiane, për shkak se ka rënie drastike të prodhimit në Shqipëri.

Ky nuk është lajm i mirë…
Ky është lajm shumë i mirë për mua.

Të jesh i bindur që në Shqipëri rënia e hashashit është lajm i keq, se është varfërim…
Jo, nuk besoj në këtë. Për ty asgjë që s’është e mirë, është e keqe. Lajmi i keq bën më shumë se sa lajmi i mirë, gënjeshtra po ashtu.

Ta shohim këtë raportin?
Është konfidencial. Raporti nuk është nga ana jonë, jo nga ne, dhe flet për rënien drastike të kultivimit në Shqipëri. Kjo do të thotë që në tregun e zi ndërkombëtar, çmimi ka shkuar në stratosferë. Po flasim për furnizimin nga tregu i Shqipërisë. Raporti ishte specifik. Tani unë nuk e di kemi ardhur të flasim këtu për çmimin e energjisë, apo të hashashit.