zoom

Lajme

Rama si investitor, presion SPAK-ut për portin e Limionit: E keni marrë peng

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se marrja peng e projektit për portin turistik të Sarandës, një investim prej 250 milionë euro, është shkelje flagrante e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv nga drejtësia.

Në një komunikim live në rrjetet sociale, Rama solli në vëmendje rastin e portit turistik të Sarandës, ku sipas tij janë shkelur kufijtë ndarës mes pushteteve.

Sipas kryeministrit, nga të gjithë prokurorët e gjykatësit pritet një drejtësi europiane, ndaj edhe ndarja hapur e opinioneve kritike është gjëja më e dobishme që tani mund të bëjmë ne në këtë fazë të re.

Kryeministri theksoi se nuk duhet të lejojmë që në emër të qëllimit tonë madhor të pavarësisë së drejtësisë nga pushteti politik individë të caktuar t’i japin vetes të drejtën e shpërdorimit të detyrës duke shkelur kufijtë ndarës mes pushteteve.

“Kemi rastin tejet flagrant aktiv sot që flasim prej vitesh tanimë të marrjes peng të projektit për portin turistik të Sarandës, që është program i qeverisë. Ne jemi votuar që t’i bëjmë Shqipërisë portet e reja turistike sepse prej shumë vitesh është si vrimë e zezë në gjithë Mesdheun në raport me turizmin e detit sepse nuk ka pasur infrastrukturën e nevojshme. Një nga pikat ku kemi marrë zotimin është porti turistik në Sarandë, aty ku ndodhet një pseudo bazë ushtarake ku ka hekurishte dhe nuk ka asnjë gjë”, shtoi Rama.

Rama tha se “është marrë peng prej vitesh një investim 250 milionë euro, një marrëveshje e bërë nga qeveria, pushtet i pavarur ekzekutiv për arsyet e mosarsyes së një prokurori që thotë jo”.

“Kanë ndërhyrë në mënyrë flagrante në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv dhe nuk është e vetmja kjo ndërhyrje, por jo vetëm duke mos shkelur kufijtë ndarës mes pushteteve. Çohet një prokuror e na tregon ç’është siguria kombëtare, ushtria e me radhë. Ne jemi votuar, kemi marrë mandat nga populli për të ushtruar pushtetin ekzekutiv”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se drejtësia e re ka mandat nga Kushtetuta dhe ligji për të ushtruar kontroll mbi pushtetin ekzekutiv, jo duke iu mbivendosur institucioneve të tjera.

“Jo duke bërë audit, jo duke bërë punën e KLSH-së, Gjykatës Administrative, jo duke bërë punën e institucionit të pavarur të Deklarimit të Pasurive e me radhë a e as duke shkelur liritë dhe të drejtat e individëve ku prezumimi i pafajësisë nuk është një llaf goje”, shtoi Rama.

Rama theksoi se pas telenovelash linçimi publik me lëndë të parë nga stacioni i trenit fenomene të tilla nuk mund të lihen më pa u diskutuar dhe ndarë me publikun.

Kjo sipas tij, nuk do të bëhet me ngut apo me mjetet e ulëta të armiqve në drejtësi dhe asnjëherë duke shenjuar me akuza personale individë të veçantë, siç fatkeqësisht ka ndodhur vijimësisht me drejtuesin e SPAK.

“Drejtuesi i SPAK është në shenjestër përditë, i goditur familjarisht me libër shtëpie siç di të bëjë vetëm bufi i kënetës dhe ka gjithë solidaritetin tonë. Ne do ta bëjmë këtë proces ma maturi, argumente, me prova konkrete për atë që nuk shkon pas 5 vitesh kur këto institucione kanë fituar një vetëbesim të plotë dhe kanë jetuar në mungesë të pozicionit kritik”, tha Rama.

Postime të lidhura