Aplikacion
Duke u rikthyer pas në kohë me ndryshimet e bëra nga qeveria, Rama tha pensionet janë “pensionet janë kocka më e vështirë për t’u gëlltitur për një qeveri dhe një shtet”.
“10 vjet më parë e kemi nisur rrugën duke synuar të bëjmë një reformë të mirëfilltë dhe jo të arnojmë siç ka ndodhur në të shkuarën duke qenë të vetëdijshëm që pensionet janë kocka më e vështirë për t’u gëlltitur. Do të fillojmë të vëmë rregull dhe të garantojmë që të gjithë të paguajnë energjinë. Nuk e harroj përfaqësuesin i cili qeshi, kam bërë detyrat e shtëpisë kam lexuar procesverbalet dhe shënimet tha dhe të gjithë kanë thënë që nuk rrisim çmimin se do të reformojmë sistemin dhe do të garantojmë që të gjithë do të paguajnë dhe kjo nuk ka ndodhur. Do të ishte fatale nëse në këtë pikë do të vepronim pa pasur një vizion afatgjatë dhe plan të qëndrueshëm afatgjatë, do të shkaktonim të njëjtat dëme, faktikisht na kishin vënë para një sistemi pensionesh të rrezikshëm kur ndërmorëm reformën e 2014”, u shpreh kreu i qeverisë.
Rama e quajti një “maratonë” dhe jo në “sprint” reformën e pensioneve dhe tha se parashikohet ndërhyrja me një rritje, paralelisht me bonuset, pa prishur themelin e sistemit.
“Kur vjen puna te pensionet duke pasur parasysh faktin që jemi afër një ditë zgjedhjesh, të gjithë ata që nuk kanë asgjë në dorë premtojnë gjithçka të dëshirueshme dhe të imagjinueshme, por kjo do të thotë t’i hapësh luftë fakteve, t’i kthesh kurrizin ekspertëve dhe të hidhesh symbyllur drejt një humnere. Do të thotë që ‘hajde të bëjmë një ditë festë më gjithçka kemi, dhe nesër le të bëhet qameti. Ne nuk e bëjmë dot këtë dhe ne do ecim paralelisht me bonuset, një në fundvit dhe një në pranverë, dhe paralelisht duke rindërhyrë në sistemin e pensioneve duam të bëjmë një akselerim pa prishur themelet e sistemit. Kemi akoma hapësirë të konsiderueshme në luftën kundër informalitetit të pagave”, tha kryeministri, duke ironizuar kështu dhe premtimet e opozitës.
Rama përmendi informalitetin si një pengesë e skemës se pensioneve, ndonëse raportoi se ka një rritje të pagave të deklarura.
Në të njëjtën pikë u ndal dhe drejtuesja e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu, e cila tha se pensionet në Shqipëri janë dëmtuar pikërisht nga informaliteti i lartë si edhe emigrimi.
Yu theksoi se gjatë reformës së pensioneve është e nevojshme informimi i publikut.
“Skema e pensioneve të 2014 e ka përmirësuar ndjeshëm skemën e pensioneve por emigrimi, Informaliteti shumë i lartë dhe nën deklarimi i pagave po dëmton pensionet. Pensionet private duhet të kenë patjetër një rol plotësues, të jenë shtesë. Ndryshimet në skemën e pensioneve do të kenë sukses vetëm nëse publiku e kupton nevojën për reformën e pensioneve. Informimi i publikut është më rendësi publike për pasjen e suksesit, keni mbështetjen tonë tek për reformën e sistemit të pensioneve. Politikat e pensioneve që përmenden sot do të ndikojnë në pensionistët e së ardhmes dhe kontribuesit e punëdhënësit. Kjo të ndihmon të kesh një vizion afatgjatë. Ne do të punojmë për të përsosur më tej disa prej mekanizmave të sistemit të pensioneve duk u mbështetur në reformën e vitit 2014, jemi në rrugën e duhur. Pensionet janë shumë të rëndësishme për mirëqenien e njerëzve, për qëndrueshmërinë buxhetore dhe ne kemi kënaqësi që na është dhënë mundësia të mbështesim Shqipërinë në vitin 2014 dhe kemi mësuar shumë përgjatë kësaj dekade për politikat e pensioneve. Në fillim rritja e pensioneve për pensionistët aktualisht pa e balancuar me kontributet do të shkaktojë kosto”, u shpreh drejtuesja e Bankës Botërore
.
Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhe, i bëri thirrje bizneseve për formalizim dhe deklarim të plotë page, për t’i paraprirë një dëmtimi të madh në të ardhmen.
“Informaliteti garanton ca cash me shumë, por shndërrohet në një gjëmë nesër. Bizneset që ankohen për taks duhet të kuptojnë se ndërsa shteti shqiptar vjel sot nga taksat sa 27% e PBB, vendet e rajonit kanë vite që vjelin 30%. Nëse nuk rrisim të ardhurat në buxhetin e shtetit, vendet e punës me paga cilësore, gjithmonë do kemi njerëz që nuk kanë mjaftueshëm. Biznesi duhet të rrisë dhe të deklarojë plotësisht pagat”, tha ministri Gonxhe.