zoom

Aktualitet

Rama premtoi rritje pensionesh, pensionistët protestë para kryeministrisë: Na tallën me 4%

Një grup pensionistësh po protestojnë para kryeministrisë për pensionet e ulëta.

Ata mbështeten dhe nga përfaqësues të shoqërisë civile.

Pensionistët kërkojnë rritje të pensioneve dhe miratimin e minimumit jetik ndërsa indeksimin e pensioneve me 4.1% e konsiderojnë tallëse.

“Unë jam pensionist, por kam qenë financier, kam punuar në disa institucione. Kam punuar në sigurimet shoqërore të Elbasanit. Jam financier i mirëfilltë. Ulni informalitetin! Sa punonjës janë të paregjistruar. Marr 410 mijë lekë. Paga reale që marrin punonjësit në sektorin privat nuk raportohet. I kanë në dorë. Unë dua rritje pensioni. Të ketë një politikë sociale. Të jetë me nivele. Dhe kjo që u bë me 4.1%, ai që merrte 600 merr dhe më shumë”, tha pensionisti.

Njëri nga pensionistët e pranishëm shprehet se kërkon pension 400 mijë lekë në muaj.

“Më shkojnë 70 mijë lekë ilaçe, kërkoj pension 400 mijë lekë, nën këtë pension s’duhet të ketë. Ne e ndërtuam Shqipërinë. Çfarë nuk kemi vuajtur, A ju vjen turp. Presidenti 4 mln, është vetëm 1 kukull, deputetët 3 mln rrogë, por janë në kurriz tonin. Na vjen keq, nëse nuk i mbushet mendja na ka mbetur vetëm të kapim armët. O të na rrisë pensionin, ose të ikin”, tha ai.

Një pensionist tjetër tha se edhe pse ka titullin mjeshtër nuk vlerësohet fare për punën që ka bërë gjatë 38 viteve.

“Jam 82 vjeç. Kam hyrë në punë 14 vjeç e gjysmë. Kam 38 vite punë në shtet. Kam punuar në të gjitha veprat, me shtëpinë e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut. Kam marrë titullin mjeshtër . Pensioni 180 mijë lekë. S’kam lënë vepër pa punuar. I kam pasur duart e arta. Unë jam socialist. Nuk po marrim vesh gjë për skemën e re të pensioneve.

Kam punuar, kam dhënë të mira materiale nuk vlerësohem fare. Po kërkoj rritje. Bashkëshortja ime ka punuar arkëtare, merrte 3500 lekë, unë kam marrë 10 mijë lekë. Rrogat e veta i rrisin këta. Dalin në parlament, asnjë nuk e ngre dorën për ne, vetëm për veten e vet”, u shpreh pensionisti.

Ndërkohë edhe një i moshuar tjetër deklaroi se nuk dëshiron bonuse për festat e fundvitit, por dëshiron rritje të pensionit.