zoom

Politikë

 Rama, politikë e fyerje pedagogëve përpara fëmijëve të 9-vjeçares

Këto ditë të turit paraelektoral nëpër Shqipëri, Edi Rama u pa duke bullizuar, fyer e përqershur fëmijë në qytete të ndryshme të vendit.

Zoom.al publikoi pamje filmike se si ai vë në siklet fëmijët e shkollave me sjelljen e tij bulliste. (lexo më poshtë në faqen e Zoom.al)

Skandaloze! Rama bullizon dhe tallet me fëmijët në takimet politike

Por kjo nuk është e vetmja shkelje e etikës së sjelljes së kreut të qeverisë përpara fëmijëve.

Sot ai zgjodhi fëmijët e shkollës 9-vjeçare “Klodian Tanushi” për t’u folur për një “SHIK-as” që sipas tij drejton sindikatën e pedagogëve që kanë kërcënuar me grevë urie.

Ja se çfarë dëgjuan fëmijët e moshës nën 14 -vjeç nga goja e kryeministrit të tyre, që skërmiste sa herë i shkonin nëpër kokë mendimet e greve urie të pedagogëve në mes të Tiranës:

“Sot në këto kushte të vështira, jo pedadogët dhe profesorët e Universitetit, por një çetë brenda trupës që është shumë më e madhe se sa aq, një pakicë nën drejtimin e një shiksi, i cili ka uzurpuar sindikatën e ashtuquajtur të pedagogëve del me ultimatumin se ‘nëse nuk rriten rrogat dhe më shumë se ç’u rritën, do hyjmë në grevë urie’. Grevë urie për rroga mund të bëjnë vetëm njerëzit pa atdhe, njerëzit pa fe, njerëzit pa flamur, njerëzit pa din, njerëzit pa iman”.

Imagjinoni ndonjëri nga këto fëmijë që mund të pyesë prindin e tij se kush është ky njeriu pa atdhe, pa fe, pa flamur, pa din e imam që shau kryeministri? Çfarë ka bërë ai kundër atdheut, flamurit dhe zotit?

Pedagogët që kërcënojnë me grevë urie në fakt s’kanë asgjë kundër atdheut, siç përpiqet t’i paraqesë kryeministri njësoj si diktatori Enver Hoxha paraqiste dikur “armiqtë e klasës punëtore dhe atdheut”.

 A janë pa atdhe e flamur ata përse kërkojnë të paguhen sa kolegët e tyre në Kosovë? A janë pa fe ata që po ndërmarrin hapa e veprime demokratike që qeveria t’i dëgjojë? A janë armiq të atdheut dhe flamurit përse kërkojnë që qeveria të investojë më shumë në arsim dhe kërkime shkencore? A janë fajtorë përse kërkojnë që Rama t’i ulë sytë nga shkallët e universitetit dhe të mos i mbajë vetëm lart drejt majave të kullave që po ndërtohen në Tiranë me lejen dhe firmën e tij?

Nëse prindërit do t’ua shpjegonin në këtë formë fëmijëve të tyre diskursin e kryeministrit, do të dukeshin qesharakë, të pakuptimtë dhe të çuditshëm. Ata më së shumti mund t’u thonë se “ata pedadogët s’janë me partinë tonë”. /Zoom.al

Postime të lidhura