zoom

Lajme

Rama njofton pagën 900 euro brenda qershorit: Martesat do të bëhen edhe online!

Edi Rama ishte sot i pranishëm në prezantimin e planit për motivimit për administratën publike, teksa u shpreh se muaji qershor do të jetë muaji i fundit me pagën aktuale, dhe prej korrikut administrata do të marrë pagat e reja. Paga mesatare nga korriku do të jetë 900 euro, sipas Ramës.

Kryeministri Rama tha se duhet të rriten edhe pensionet pasi një pjesë e madhe e pensionistëve marrin nën 150 euro në muaj, duke shtuar se është një hap që do shumë kujdes, por se qeveria do ta ndërmarrë.

“Paga mesatare 900 euro. Qershori është muaji i fundit me këtë pagë që keni, dhe paga e radhës do jetë ajo e rritur dhe është shumë e konsiderueshme po të marrim parasysh totalin, rreth 400 mln në total për burimet njerëzore.

Është një rritje domethënëse për një periudhë, dhe sigurisht na duhet të shikojmë pak më shumë si të bëjmë dhe pjesën më të vështirë, që është pensionet e ulëta…

Të rrisim mbështetjen për pensionistët, sepse marrin nën 150 euro një numër i konsiderueshëm. E kam thënë dhe na e thonë dhe ekspertët te pensionet bëni kujdes sepse është një peshë shumë e rëndë. Do hedhim një hap edhe në atë drejtim”, u shpreh Rama.

Ndër të tjera, kryeministri la të hapur mundësinë që edhe procesi i martesës të kryhet në një të ardhme online.

“95% e shërbimeve sot janë online. Masivisht shërbimet jepen online. Ne nuk kemi më sportele përveç atyre pak sporteleve që janë të pamundur të mbyllen, për shembull kur do marrësh pasaportën e do vësh shenjat e gishtërinjve, apo kur martohesh, nuk është realizuar akoma një skemë martese online, do vijë me siguri dhe disa pak procese tjera. Faktikisht sot nuk ka më adresa fizike që të presësh në radhë. Fleksibiliteti i orareve në punë, rritja e pagave brenda vitit 2024, vlerësimi i performancës dhe trajnimet e stafit ishin disa nga pikat që u prezantuan sot në kuadër të Planit për Motivimin e Administratës Publike, nga Adea Pirdeni ministre për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin” përfundoi kreu i qeverisë.