zoom

Politikë

Rama në Fier: Duhet të forcojmë kontrollin brenda qeverisë për të kapur ata që i kanë duart e gjata

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në mbledhjen e Asamblesë së zgjeruar të PS në Fier, ku foli edhe për Reformën në Drejtësi duke theksuar se është Partia Socialiste ajo që e ndërmori këtë nismë dhe pati mbështetje nga SHBA dhe partnerët strategjikë.

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës se PS ka kapur SPAK-un, Rama tha se nëse diçka e tillë do ishte e vërtetë atëherë nuk do kishte asnjë të arrestuar apo të hetuar nga rradhët e socialistëve.

‘’Nuk është Amerika që bëri Reformën në Drejtësi. Është PS që e bëri dhe gjeti një mbështetje massive të aleatëve strategjikë. Reforma nuk bëhej dot pa mbështetjen e tyre. Por tjetër është ta udhëheqësh reformën dhe tjetër gjë ta mbështesësh.’’-tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se duhet që pushteti ekzekutiv të forcojë kapacitetet e brendshme për të kontrolluar personat që shpërdorojnë detyrën e tyre.

‘’Ne duhet të forcojmë kapacitetet e brendshme të qeverisë për ta kontrolluar shumë më tepër dhe shumë më në qelizë veprimtarinë në mënyrë që goditja e së keqes të mos jetë vetëm ekskluzive e SPAK. Nuk ka nevojë të presim SPAK për t’i vënë gishtin një drejtuesi të një institucioni që e ka marrë vesh gjithë lagjia që e ka dorën e gjatë’’ – shtoi Rama.