zoom

Politikë

Rama në Athinë, media greke: Mitsotakis s’dëshiron “festë” në shesh! Takimi në ambient të mbyllur

Kryeministri Edi Rama do të jetë në Athinë të dielën për t’u takuar me emigrantët shqiptarë atje në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.

Sipas protothema.gr, qeveria greke nuk mund ta ndalojë vizitën e kryeministrit shqiptar dhe as Kuvendi. Nga ana tjetër, Mitsotakis nuk dëshiron një takim të pakontrolluar, prandaj preferon një zonë të mbyllur, e cila mund të monitorohet më me efektivitet nga forcat e Policisë.

“Çështja nuk është dypalëshe, është evropiane, pavarësisht atyre që pretendojnë se është një çështje që ka të bëjë vetëm me pakicën kombëtare greke. Bëhet fjalë për shtetin e së drejtës dhe mënyrën sesi Shqipëria i trajton minoritetet, ka të bëjë me mënyrën se si funksionon gjyqësori shqiptar. Qeveria greke do të vazhdojë të ngrejë këto çështje”, tha Mitsotakis.

Nga të dhënat e deritanishme, SEF duket se është destinacioni më i mundshëm për Ramën, pasi ka pasur negociata intensive mes ambasadës shqiptare në Athinë dhe drejtuesve të Stadiumit për sallën ku mund të mbajë fjalimin kreu i qeverisë shqiptare, raporton media greke.

Në fakt, sipas informacioneve të protothema.gr, administrata e SEF-it ka kontaktuar me Ministrinë e Sportit dhe Ministrinë e Jashtme dhe ka marrë “dritën jeshile” për të ndarë një dhomë, për aq kohë sa ka disponueshmëri.

Në çdo rast, qeveria do të donte të shmangte imazhin e një “feste” në një ambient ​​të hapur, duke qenë se skenarë qarkullonin edhe për sheshin Sintagma.