zoom

Aktualitet

Rama ndryshon ligjin për të mbajtur Gjinushin në Akademinë e Shkencave, shpërthen Ledi Shamku

Menjëherë pas përfundimit të mandatit të tanishëm, Skënder Gjinushit i hapet udhë për t’u rizgjedhur në krye të Akademisë së Shkencave me një mandat të dytë.

Një grup deputetësh kanë propozuar ndryshime në ligjin e 2019-ës “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 11, në pikën 10, përcaktonte se “Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate, por jo radhazi”. Me ndryshimin e propozuar, pika 10 e nenit 11 bëhet, “Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate”, ku siç shihet është hequr togfjalëshi, por jo radhazi”.

Ligji i miratuar vetëm 4 vite më parë ndryshon tepër shpejt, ndonëse i parapriu gjithë zhurmës mbi nevojën për një reformë, dhe kritikave të shumta, për kryetarë e zgjedhje farsë çka çoi drejt penalizimit deri edhe në buxhetet shtetërore në institucionin. E megjithatë, vetëm 4 vite më pas, kthehemi të besojmë se kryetari duhet të ketë dy mandate radhazi.

Kur Skënder Gjinushi u zgjodh për të drejtuar Akademinë e Shkencave në vitin 2019, ardhja e tij në krye të institucionit më të rëndësishëm të shkencës, pasoi një kohë të gjatë debati e akuzash nga ana e kryeministrit të vendit Edi Rama, që e cilësonte akademinë, një godinë vakish, që hapej vetëm për ceremoni mortore çka e bënte sipas tij, Çabejn të rrotullohej në varr. Përplasja e qeverisë me institucionin shkencor, qe nxitur nga rrokada mes Muzafer Korkutit dhe Gudar Beqirajt në pozicione drejtuese. Me marrjen e Akademisë nga Gjinushi, ish ministër nën Ramiz Alinë, ish aleati i Ramës që la partinë për akademinë, Kryeministri i vendit, hapi thesin e fondeve dhe u rikthye të besojë se nën lidershipin e Gjinushit, “dikush i asaj kohe akademike mund të garantojë këtë kohë”.

Ndryshimet ligjore që u bënë pikërisht për të shmangur rrokadën duket po zhbëhen për të sjellë jetëgjatësinë e një drejtuesi në një post.

Studiuesja Ledi Shamku nuk i ka kursyer ironitë dhe sulmet ndaj kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, duke e akuzuar dhe për plagjiaturë.

REAGIMI I SHAMKUT:

“REDAKTORËT TRUKOKALLË” TË LASGUSHIT DHE KRYEREDAKTORI I CARUANAS

E mbani mend besoj Kryeakademizmën, kur rehat-rehat, faqe Qeverisë dhe Shkencës, citoi me afsh e me bindje njëfarë Caruana. Mirëpo i doli që citimin e kish vjedhur nga një shkrim i tjetërkujt ngaqë libri i Caruanas nuk ekzistonte fare. Në çdo vend tjetêr të Europës (ku po duam ta varim çengelin e Shkencës Shqiptare), pas kësaj thagme, autori i thagmës – në rastin tonë Gjinushi kreu i Akademisë – do kish dhënë dorëheqjen, a më e pakta Akademia do ta kish shkarkuar për shkelje të rëndë të Etikës Shkencore. Ja që Akademizmës së ”reformuar” as që i skuqet faqja e “sovjeto-skuqur”, por vijon të na dëftojë se është një strukturê thellësisht otomane, ku Pashait i preken veç këmbët.

Kjo është reforma aty! Veç kaq do kishte mjaftuar për t’ia neveritur atij dhe Asaj edhe sovjetizmën edhe otomanizmën.

Por Shkencizma nuk të lë të mjaftohesh!!!

Zhvillohet mbledhja për Enciklopedinë Shqiptare, dhe Akademiku i Caruanas vetëzgjidhet (me unanimitet thotê) KRYEREDAKTOR, dhe nuk ka as finesën dhe ndjeshmërinë që Prishtinën ta ketë në krah, por e le nën vete, pasi i le vendin e ZËVENDËSKRYERADAKTORIT. E kam të qartë se në kokën e ministrit të Ramizit ka vetëm Nënrenditje dhe nuk e njeh Bashkërenditjen si koncept. Por kjo nuk me ndalon të ndjehem e lënduar e t’i kërkoj ndjesë vetiu Prishtinës. Me na falë, o vëllezër e motra se për disa punë ne jemi ende peng i Kohës së Keqe…

I vetmi sebep që ka pasur për të tillë hierarki varësuese kanë qenë paret, që në fakt nuk janë të Caruanizmës, por të taksapaguesve shqiptarë. Me të cilat ai, si në kohë të Enverit, e ve Kosovën nën vete e jo në krah. A nuk mund të ishte Prishtina Bashkëkryeredaktore si ai?! Jo për një sovjeto-otoman. Nuk ia kishim borxh këtë turp…!!! Askush s’mund të rrijë e të vëzhgojë pa ndërgjegje të tilla shëmti.

Sikurse asnjë shqiptar, këtej e andej Drinit, nuk ka si të ndjehet qetë kur Enciklopedinë po ja Kryeredaktoka vetê ai, Plagjatori i Caruanës së paqenë! Pyes veten, po Caruana do ketë zë më vete në Enciklopedi? Duhet të ketë se s’bën se Caruana i paqenë shenjon stadin më të keq të degradimit shkencor e moral të Akademizmës – pra pêrfaqëson, për dreq, fazën historike më të përdrequr të saj.

Do mblidhen 2 mijë shkencëtarë nga anë e anës, të cilët do t’i KRYEREDAKTOJË Plagjatori i Caruanës! Medet o shkencê! Lasgush të qofsha falë! Sot kishe për ta rishkruar atê strofën tënde aq shpirtplasur nga koha e keqe e që bën: “redaktorêr trukokallë / redaktojnë vjershëtorêt / pa më thoni, cilët vallë / redaktojnë redaktorët?”.

Ja, po ta rishkruaj unë e më ndje o Mjeshtër!

Kryeredaktorët me Caruanë
Kryeredaktojnë shkencëtorët
Pa më thoni cila anë
Na çliron nga Kryeredaktorët?