zoom

Ide & Blog

Rama me alibi si të Erdoganit dhe Putinit

Nga Andi Bushati

Edi Rama është përpjekur të lajë duart duke prodhuar një sërë alibish për çështjen Beleri. Në intervistën për të përditshmen Kathimirini, që e pomponte me bujë prej ditësh, kryeministri reket të sigurojë publikun grek, (në videon që ka shpërndarë në Facebook është kujdesur që titrat të jenë dhe anglisht), se nuk është ai, autokrati që ka paravendosur burgosjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës. Ai ka folur për drejtësinë tonë të pavarur, të formatuar nga BE dhe SHBA, për faktin se ajo po ha edhe shumë koka socialistësh, ka guxuar të bëjë prapa ktheu për zhargonin prej rugaçi që përdori ndaj Belerit në fushatë (ndonëse manipuloi kur tha se e kishtë bërë këtë si pasojë e deklaratëve për helenizimin e Himarës).

Edi Rama përdori një vetëmbrojtje që në një pamje të parë duket bindëse: “Po ta dija që ai do të arrestohej, a do ta ekspozoja veten me një gjuhë kaq të drejtpërdrejtë? Mendoj që, jo, sepse mund të mos jem njeriu më i mençur në botë, por nuk jam edhe më budallai në botë dhe ky do të ishte një budallallëk i madh” e pyeti ai, në formë retorike, gazetarin Papadopulos. Pastaj vazhdoi me argumentin se nuk ka asnjë provë se është ai që qëndron pas këtij makinacioni policesk, të denjë për ish agjentët e KGB-së. “Që prej Romës së lashtë, barra e provës i takon akuzuesit dhe jo të akuzuarit” tha ai, duke dashur të nënvizojë se nuk ka asnjë fakt që e bën me faj atë.

Padyshim, që duhet pohuar se nuk ekzistojnë prova konkrete, bideda të përgjuara, apo shkresa që të dëshmojë se urdhërin për burgosjen e kundështarit opozitaro-minoritar e ka dhënë shefi i qeverisë. Dhe askush, hiq ndonjë surprizë, nuk pretendon ti zbulojë ato. Por, raste si ky trajtohen në kontekstin e përgjithshëm dhe shpesh sfondi politik dhe lloji i ushtrimit të pushtetit, janë tregues për mënyrën si funksionon dhe drejtësia. Në intervistën e Ramës ka një detaj, një lapsus të pandërgjegjshëm, që tregon shumë për atë që folëm më lart. Duke rrefyer për marëdhënien e tij me homologun grek Mistsotakis, për vizitën e përbashkët që ata bënë dhjetorin e shkuar në zonën minoritare të Derviçanit, Rama nxori për dëgjuesit edhe një sekret të vogël. “Vendosëm që aty të ngrihet një bust i babait të Kiriakosit”, tha ai duke iu referuar një tjetër kryeministri të famshëm helen, Kostandin Mitsotakis.

Por, është interesante të qëmtohet si vijon biseda dhe se si sillet kryeministri ynë, fare pa e kuptuar, me qasjen e njeriut që bën dhe shiun dhe diellin në këtë vend. Duke iu referuar situatës së fundit të acaruar me Greqinë ai shpalli me triumfalizëm: “Unë nuk kam dhënë urdhër të ndalet puna me bustin”.

Imagjinioni për një çast. Cili lider demokrat, që vepron në një hapsirë demokratike, do imagjinonte ta nxirrte një frazë të tillë nga goja? Kush udhëheqës politik do i lejonte vetes pushtetin për të vendosur se kur duhen ngritur statujat dhe kur duhet pezulluar lartësimi i tyre?

Ky detaj, fare i vogël dhe i parëndësishëm në dukje, dëshmon shumë për mënyrën ses Edi Rama sundon mbi vendin e tij. Për shumë kënd ai merr peshën dhe rëndësinë që nuk e zhbëjnë dot çorba e fjalëve për pavarësinë e gjyqësorit dhe ndarjen e pushteteve në demokraci.

Por, pa u kapur pas kësaj nuance që nuk përbën provë, ndonëse është tejet ilustruese për shijen dhe aromën e atmosferës në të cilën zhvillonen ngjarjet, pasi dëgjova alibitë e Ramës se, pas arrestimit të Belerit nuk qëndronte ai, vendosa të bëj një gjë tjetër. U futa të lexoj pak për rastet e fundit që kanë bërë bujë si burgosje dhe dënime politike. Eshtë e habitshme të shokosh sa të ngjashme janë justifikimet e autokratëve që tregohen me gisht se qëndrojnë pas tyre. Erdogani është sjellë po njësoj, kur është akuzuar se qëndron pas dënimit nga gjykata të njërit prej opozitarëve të tij më të fortë, kryebashkiakut të Stambollit, Imamoglu. Duke i qaujturi reagimet si një struhi kundër një vendimi të drejtësië, raisi turk përbetohej, në dhjetor 2022: “Ky debat nuk ka lidhje as me ne dhe veçanërisht as me mua”.

Edhe cari i ri i Kremlinit është sjellë po njësoj pas dënimit të ish oligarkut të Yukosit, Khodorovski. “Ne duhet të nisemi nga principi se krimet e Mikhail Khodorovskit janë provuar nga drejtësia”, deklaronte Putini në 2010, për një televizion rus.

Ndonëse sipas të drejtës romake, askush nuk jepte dot prova për të akuzuar as autokratin turk dhe as diktatorin rus, mbarë bota demokratike nuk ka pasur dyshime për rolin e tyre në këto “ndëshkime të drejtësisë”.

Se nganjëherë, më me rëndësi se provat konkrete është kuadri i përgjithshëm në të cilin zhvillohet ngjarja. Dhe çështja Beleri duhet parë në këtë sfond. Rallë ndonjëherë, në një vend të mirfilltë demokratik, një kandidat për një bashki të rëndësishme, mund të prangoset dy ditë para garës. Aq më tepër kur ai është njëkohësisht edhe opozitar edhe pjesë e një mnoriteti. Vështirë se ndodh që kjo të bëhet me kontributin vullnetar të një të infiltruari të policisë. Edhe më e pamundur është që të përdorret argumenti i arrestimit në flagrancë, kur flagrancë nuk ekziston. Po ti shtosh këtyre edhe shkeljet proceduriale, që vendimet u morën në Vlorë, ndërkohë që për krimet zgjedhore ligji autorizon SPAK-un dyshimet thellohen. Ato bëhen edhe më të forta kur, tani pas zgjedhjeve, po luhet çdo gur që Beleri të humbasë mandatin, duke i penguar betimin si kryebashkiak.

Në fakt, e gjithë afera qelbet era politikë. Prandaj dhe alibitë për ndarjen e pushteteve duken qesharake. Në një vend kur një neri i vetëm vendos se kujt i duhet ngritur statujë e kujt jo, se kush e meriton të jetë i lirë apo të përfundojnë në burg, të flasësh për sundimin e ligjit është njësoj si të diskutosh për seksin e ëngjëjve. Ndoshta me një mendësi të thellë demokratike këtë qasje të gabuar pati në intervistë edhe gazetari grek Pavlos Papadopulos. Ai adoptoi një model të ngjashëm me atë bisedave që dikur Oliver Stoun ka zhvilluar me Fidel Kastron apo Putinin. Duke e marrë një personazh të ngërthyer një një konflikt konkret dhe duke i lënë hapsirën të flasë si artist apo të tregojë kujtimet e rinisë me berberët e Rinasit, ai e ç’fokusoi thelbin e intervistës. Në një farë mënyre ai ra në kurthin e kolegëve që intervistojnë autokratë. Ai la tepër hapsirë për alibitë e Ramës, që megjithatë, sa do të ealboruara që të ishin, nuk ndryshojnë shumë nga ato që prodhohen në Moskë apo Ankara.