zoom

Aktualitet

Rama “mburret” në OKB: Shqipëria, 95% të shërbimeve online

Teknologjia dhe e ardhmja dixhitale ishin në qendër të fjalimit të kryeministrit Edi Rama në Organizatën e kombeve të Bashkuara në New York.

Kryeministri theksoi teknologjia me premtimin e saj për progres eksponencial është bekim për vendet në zhvillim ndërsa u mburr se vendi ynë, falë teknologjisë, 95% të shërbimeve i ofron online.

“Ne në Shqipëri e kemi parë në jetën reale dhe me përpjekjet përkatëse u bëmë një vend ku 95% e shërbimeve sot ofrohen online e ku sportelet dhe radhët e gjata janë tashmë histori e të shkuarës. Nga ana tjetër, ne po shfrytëzojmë përparësitë e modelit të Inteligjencës Artificiale, për të çuar shpejt përpara negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian”- tha kryemninistri.

Shefi i qeverisë tha se teknologjia ka edhe anën e saj sfiduese, ndërsa përmendi sulmet kibernetike ku vendi ynë ka qenë objekt nga Irani.

“Shqipëria ka qenë viktimë e një sulmi të egër kibernetik nga Irani. Ne e provuam në realitet se sa shumë kjo botë e re e bazuar në teknologji mund të sjellë dëme për vendet dhe për qytetarët. Por tekefundit nuk ka aspak dyshim se nëse do të jemi në gjendje të krijojmë një sistem, ku bota dhe komuniteti i kombeve të përfitojnë më të mirën nga premtimet e teknologjisë digjitale dhe në të njëjtën kohë, të frenojnë të gjitha efektet e dëmshme që mund të vijnë nga përdorimi dashakeq i saj, kjo botë do të ishte një vend shumë më i mirë.”- u shpreh Rama.