Aplikacion
Teksa u sigurua të ishte i qartë se mbështet dhe është i së njëjtës linjë me Veliajn, si për të hedhur poshtë zërat e hershëm të një krisjeje mes tyre, Rama tha se ky rast tregon që mbështetja e socialistëve për SPAK-un nuk është propagandë, por vullnet i hekurt politik.
“S’mund të jem më shumë dakord me sa u tha sot kryebashkiaku Erion Veliaj qytetarëve të Tiranës, në mesazhin e drejtëpërdrejtë lidhur me ndalimin nga SPAK-u të disa ish-drejtorëve e drejtorëve të bashkisë!
Mendësia e vjetër komuniste, fatkeqësisht ende shumë e pranishme në mënyrën e të parit të tjetrit si armiku që duhet shkatërruar (falë trashëgimisë së hidhur në një segment të tërë të politikës e të medias shqiptare të një komunisti fanatik, të konvertuar në liderin trushpëlarës të krejt atij segmenti që nga dita e parë e pluralizmit deri sot) nakatosur me thashetheme kafenesh, mllefe interesaxhinjsh dhe interesa gjobaxhinjsh, nëpër ekrane e portale që u ngjajnë tabelave të fletë-rrufeve të komunizmit, prodhon përditë baltë e helm me çështjet e drejtësisë! Po kësaj s’kemi ç’i bëjmë për sa kohë shpifjet e politikanëve dhe denigrimet e killerave mediatikë, janë bërë pjesë e jetës sonë publike të kthyer në një xhungël ku s’e merr vesh i pari të dytin, ku nuk debatohet me argumenta po vetëm propagandohet me akuza e bërtitet për të mos lënë tjetrin të flasë, ku liria e shprehjes është bërë liri e shpifjes, ku shpifësit përveçse me votë nuk ndëshkohen as me ligj e as me zakon, po vetëm zaptojnë me pafytyrësi që edhe në Kanunin e vjetër të shqiptarëve, edhe në çdo libër edukate të qytetërimit demokratik, konsiderohet shkelje e pafalshme.
Por ky i sotmi është përsëri rasti për të thënë me zë të lartë, se mbështetja jonë për SPAK-un nuk është propagandë, po vullnet i hekurt politik; qëndrimi ynë pa koment, sa herë SPAK-u godet brenda strukturave të ekzekutivit në çdo nivel, nuk është strukje, as frikë, po shprehje shembullore e vijës së kuqe mes nesh, partisë që qeveris e udhëheq Reformën në Drejtësi dhe Drejtësisë së Re që ka të gjithë mbështetjen tonë; goditjet e SPAK-ut ndaj kujtdqoftë në radhët e ekzekutivit, në çdo nivel të qeverisjes, që ka shkelur ligjin dhe ka tradhëtuar misionin tonë në shërbim të këtij vendi e të këtij populli, ne nuk i përjetojmë si gjëma, as si fajësi kolektive, po si një ndihmë të paçmuar në një luftë kundër korrupsionit, të cilën deri dje nuk e bënim dot sa e si duhej, pikërisht sepse mungonte krahu i drejtësisë së pavarur!
Kështu që edhe kjo çështja më e fundit e disa ish-zyrtarëve e zyrtarëve të bashkisë Tiranë, edhe qëndrimi i drejtë i Erionit sot, me të cilin bashkohem fjalë e presje, dëshmojnë edhe njëherë se ne as nuk e kontrollojmë SPAK-un, as nuk kemi ndërmend të ndryshojmë qasjen fuqimisht mbështetëse për SPAK-un, as nuk komentojmë çfarëdoqoftë lidhur me vërtetësinë e akuzave të SPAK-ut, për këdoqoftë që SPAK-u merr të pandehur dhe as nuk kemi asnjë lidhje me dokrrat e segmentit politik e mediatik, që prodhon përditë baltë e helm në seanca parlamentare, shfaqje televizive e kanale digjitale, ku lloj-lloj pjellash të mendësisë së errët inkuizicionale, na bëjnë gjyqe si ato të komunizmit, duke u përpjekur të na fusin të tërëve në çdo trastë e thes korrupsioni që hapet nga SPAK-u!
Ne jemi në këtë detyrë për të bërë Shqipërinë Europiane 2030 me reforma të vërteta, përpjekje të mëdha, vendosmëri absolute dhe me të gjitha forcat e ekzekutivit, gjyqësorit dhe legjislativit, ku punët janë të ndara e ku lavdi Zotit, popullit që e mbështeti fuqimisht hapjen e rrugës së Reformës në Drejtësi dhe Partisë Socialiste, e cila i hyri detit në këmbë për ta hapur këtë rrugë, tanimë s’jemi më vendi ku për 100 e kusur vite nuk u hetua e gjykua kurrë nga një drejtësi e pavarur, as edhe një person me pushtet politik a lidhje me të!
Prandaj qentë le të lehin, Shqipëria do të shkojë përpara, me qeverinë e Partisë Socialiste që do të ecë vetëm përpara, me Drejtësinë e Re që duhet të vazhdojë vetëm përpara, pa i lënë kusur askujt që përdor flamujt e partive, majtas e djathtas, lart apo poshtë, për të nxjerrë përfitime të paligjshme për veten a të afërmit e vet, duke punuar për shtetin me një xhep të dukshëm për të ardhurat nga puna dhe me një xhep të fshehtë për paratë e marra me korrupsion,”- shkroi Rama.
Veliaj duket se e përdori reagimin e tij të regjistruar nga zyra në Bashki edhe për t’i dhënë një mesazh Edi Ramës. Ai i kujtoi kryeministrit Arben Ahmetajn, duke i thënë se, nëse bashkëpunëtorët e tij kanë vjedhur ai nuk di asgjë, siç Rama nuk dinte asgjë për aferat e Ahmetajt.
“Tani ka një pyetje, sa brutale aq edhe banale, që ngrihet rëndom nga inkuizitorët mesjetarë, sigurimsat modernë dhe prokurorët mediatikë nëpër banaqe televizionesh, kurdo që SPAKU vepron ndaj një zyrtari të caktuar: Si ka mundësi të mos i dinte këto Edi Rama dhe si mund të ndodhi që, deri edhe zëvendësi i tij, një person që sot është në kërkim nga drejtësia, t’i bëjë këto pisllëqet e mëdha për të cilat akuzohet, pa bekimin e kryeministrit?
Më falni! Po pse, në cilën pjesë të funksionit të tij të përcaktuar me Kushtetutë dhe dispozita ligjore, kryeministri duhet të përgjojë zëvendësin e tij apo cilindo zyrtar tjetër, me të cilin e lidh puna, kur këta të fundit e ushtrojnë influencën e postit dhe i përdorin lidhjet e tyre me X-in ose Y-in, për të përfituar në mënyrë të paligjshme?! Si mund të jetë kaq e padiskutueshme, që një kryeministër, apo në rastin tim, një kryetar bashkie, të jetë në dijeni të çdo gjëje që s’ka të bëjë fare me funksionin e tij të përcaktuar me ligj apo me objektivat e me një mijë e një problemet e përditshme të punës së tij?!”
Veliaj tha se ai nuk kishte vjedhur kurrë në të gjithë periudhën që drejtonte bashkinë e Tiranës, por nuk shpjegoi se si është e mundur që thuajse të gjithë drejtorët e tij janë para drejtësisë për vjedhje galopante. Ai akuzoi opozitën dhe disa media e gazetarë për gjueti shtrigash, por nuk sqaroi se çfarë masash kishte marrë ai si kryetar Bashkie për të parandaluar korrupsionin. Po ashtu ai nuk sqaroi publikun dhe votuesit se sa raste korrupsioni ka denoncuar vetë Bashkia pranë prokurorisë. Sipas Kreut raportit te SPAK, denoncimet nga kjo bashki janë zero.
Deklarata e plotë e Veliajt: