zoom

Aktualitet

Rama – Kim përplasen hapur për kreun e SPAK. Zëri i Amerikës: Qeveria theu çdo praktikë diplomatike

Nuk ka më asnjë dyshim se kurba e përplasjes së kryeministrit Edi Rama me ambasadoren amerikane Yuri Kim ka arritur në pikën e takimit.

Palët po lëshojnë mesazhe të pakodifikuara siç ndodh në gjuhën diplomatike. Yuri Kim po flet hapur për tentativa për të manipuluar zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, në mënyrë që struktura e prokurorisë së posaçme të vihet nën kontrollin e politikës.

Edi Rama iu përgjigj me një akt të paprecedent. Qeveria e tij njoftoi nëpërmjet Ministrisë për Punët e Jashtme dhe Europën se kishte nisur procedurat për zëvendësimin e ambasadores.

Njoftimi ishte i beftë dhe i pazakontë. Nuk kishte ndodhur në asnjë rast që një qeveri shqiptare të niste procedura për të larguar një ambasador të huaj.

Zëri i Amerikës e tha hapur: “në thyerje të çdo praktike diplomatike, ministrja (e Jashtme) mori kompetencat e një vendi tjetër, duke bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara kishin nisur procedurat për zëvendësimin e ambasadores Kim, e cila është në përmbyllje të mandatit të saj”.

Kryeministri Rama mbajti një qëndrim mohues.

“Nuk është thyer asnjë etikë e asnjë lloji dhe procesi për zëvendësimin e ambasadores ka nisur, siç është thënë edhe nga Ministria e Jashtme. Natyrisht nuk e kemi nisur ne procesin, e ka nisur Departamenti i Shtetit si për të gjithë ambasadorët që vendos kur bëhet djalë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Rama.

Kryeministri mohoi të ketë një çarje të marrëdhënieve: “ngjitja mes meje dhe ambasadores, është më e fortë se kurrë. Por sot palët e bënë edhe më të dukshme përplasjen.

Ambasadorja Kim foli sërish për manipulim të procesit të zgjedhjes së kreut të SPAK>

“Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes të kufizojnë ose manipulojnë hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët e gjyqtarët duhet t’i trajtojnë të gjithë si të barabartë para ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura. Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kusht për anëtarësimin në BE; është kërkesë e drejtë e popullit shqiptar. SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë. Do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes për SPAK për t’u siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara”, u shpreh ajo.

Por Edi Rama u dha një tjetër mesazh anëtarëve të KLP që kanë në dorë të vendosin se kush do të jetë kreu i ri i SPAK, duke ua bërë të qartë se s’kanë përse ta dëgjojnë ambasadoren, madje atë në mënyrë të veçantë “jo e jo”.

“Jam plotësisht dakord me @USAmbAlbania dhe boll me thashethemet e katundit politik e mediatik! Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorjavulorjafallgjorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet! Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve,të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”, shkruajti Rama në Twitter pas Rama deklaratës së ambasadores po në Twitter.

Tani letrat janë hapur. Palët po tregojnë forcën. Kush do ta kontrollojë SPAK, Rama apo amerikanët? /Zoom.al